Maqedoni
Këshilli i prokurorëve publikë formon komisionet për zgjedhjen e kreut të ri të PThP-NKOK
11.09.2026 14:41
Këshilli i Prokurorëve Publikë formoi sot komisionin që do të zbatojë procedurën për zgjedhjen e prokurorit të ri themelor publik të Prokurorisë....

Këshilli i Prokurorëve Publikë formoi sot komisionin që do të zbatojë procedurën për zgjedhjen e prokurorit të ri themelor publik të Prokurorisë. Ky komision i përbërë nga Mirjana Ilievska, Ardian Demiri dhe Dushica Dimitrieska, brenda tre ditësh duhet të përcaktojë dhe të publikojë emrat e kandidatëve që i plotësojnë kushtet ligjore për pjesëmarrje në procedurë.
“Zyrtarisht janë paraqitur pesë kandidatë, të cilët tashmë janë të njohur për opinionin. Komisioni tani do t’i shqyrtojë dhe do të vlerësojë nëse i plotësojnë apo jo kushtet, në përputhje me ligjin dhe shpalljen. Brenda tre ditësh, rezultatet do të publikohen në ueb-faqen e Këshillit.”, - deklaroi kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Bashkim Besimi.
Ndërkohë në Komisionin për zbatimin e zgjedhjes janë zgjedhur Ermon Neziri, Svetllana Stojkoviq dhe Keti Petkova. Për pozitën e prokurorit të ri për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit garojnë prokurori i lartë publik, Jove Cvetanovski; prokurori në Prokurorinë e Lartë Publike dhe ish-prokuror në PSP, Trajçe Pelivanov; prokurorja nga PThP Shkup, Lidija Raiçeviq; prokurorja nga PThP për ndjekjen e krimit të organizuar, Iskra Haxhi Vasileva; si dhe Faton Azizi. Zgjedhja e prokurorit të ri themelor për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është caktuar për 28 tetor 2026.
Procedura zhvillohet për shkak të skadimit të mandatit të drejtuesit aktual, Islam Abazi, i cili në këtë funksion u zgjodh në tetor të vitit 2022. Në seancën e sotme Këshilli njëherësh konstatoi edhe ndërprerjen e mandatit të prokurorit publik Ahmed Ahmeti nga Prokuroria Themelore Publike në Gostivar, për shkak të plotësimit të kushteve për pensionim të moshës. Ndërkaq, u konstatua se Nadica Vasileva Spasova, në pajtim me vendimin e fondit kompetent, mund të vazhdojë punën me gjysmë orari.
REXHEP QAMILI
