Maqedoni
Rinovohet Klinika e Neurofiziologjisë, më shumë hapësirë, kushte më të mira për pacientët
11.09.2026 14:58
Klinika e Neurofiziologjisë tashmë ka një hapësirë të rinovuar dhe më funksionale për punën e stafit mjekësor dhe trajtimin e pacientëve....

Klinika e Neurofiziologjisë tashmë ka një hapësirë të rinovuar dhe më funksionale për punën e stafit mjekësor dhe trajtimin e pacientëve. Janë rikonstruuar 891 metra katrorë të objektit, ndërsa puna ka përfshirë tërësisht pjesën e brendshme të godinës. Rinovimi do të vazhdojë edhe në fazën e ardhshme, kur parashihet ndërhyrje në çati dhe fasadë.
“Gjithsej janë rikonstruuar 891 metra katrorë, pra objekt, që ishte si një pikë e harruar e Qendrës Klinike, tashmë është shndërruar në një godinë funksionale. Nga një objekt i amortizuar po krijojmë një ambient funksional dhe më të përshtatshëm për punën e personelit mjekësor, por mbi të gjitha edhe për pacientët.”, - deklaroi drejtori i Klinikës së Neurofiziologjisë, Jovan Bozhinovski.
Krahas përmirësimit të kushteve infrastrukturore, është punuar edhe në rritjen e kapaciteteve të stafit. Për këtë qëllim janë siguruar 38 pëlqime financiare për punësime të reja, e tashmë janë realizuar 25 prej tyre. Kryeministri Hristijan Mickoski, tha ndërkohë se Qeveria është e përkushtuar për përmirësimin e kushteve për pacientët dhe stafin mjekësor.
“Jam jashtëzakonisht i kënaqur që u përfundua edhe një projekt, u rinovua edhe një objekt që mund të ofrojë kushte më cilësore për pacientët, diçka që me dekada nuk ishte menduar as të rinovohet, ndërkaq, ja, u përfundua.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ai paralajmëroi projektet rinovuese për Qendrën Klinike në Shtip, Spitalin Klinik në Tetovë dhe Shtëpinë e Shëndetit me veprimtari të zgjeruar në Kërçovë. Njoftoi gjithashtu se do të vazhdojnë aktivitetet për përcaktimin e lokacionit të përshtatshëm dhe negociatat me pronarët privatë për ndërtimin e një Qendre të re Klinike.
ABIBE QAILI
