Toska pyet Shasivarin: Pse ndryshuat për provimin e Jurisprudencës?

11.09.2026 15:42

Provimi i Jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe...

Provimi i Jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, do të riaktualizohet nga fillimi i muajit tetorë. Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, do t’i ftojë në një takim asociacionet e studentëve për t’ua prezantuar zgjidhjen. Ky sqarim i ministrit Shasivari erdhi nga Parlamenti, pasi i njëjti u pyet nga deputetja e BDI-së, Dijana Toska, se pse i njëjti ka ndryshuar qëndrimin e tij fillestar, se provimi i Jurisprudencës duhet të jepet edhe në gjuhën shqipe. 
 
“Ju, zotëri Ministër, këtë problematikë e dini shumë mirë, që moti. Madje në muajin prill, më konkretisht më 4 prill, vet e keni deklaruar se kjo nuk është e drejtë, dhe se Jurisprudenca duhet të jepet në gjuhën shqipe, ja ku e keni intervistën. Çka ndodhi zotëri Ministër, pse ndryshuat mendimin, sot në vend të një zgjidhjeje të plotë, ju po ofroni një zgjidhje me të ashtuquajturin model i kombinuar?!”, - deklaroi deputetja e BDI-së, Dijana Toska.
 
Shasivari për provimin e Jurisprudencës: Në fillim të tetorit prezantojmë zgjidhjen
 
“Këtë çështje nuk e shoh si çështje etnike ose si çështje politike, por para së gjithash si çështje juridike dhe çështje institucionale, dhe pyetja është se si në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të sigurohet një qasje e barabartë. Gjuha mund të jetë e ndryshme, por kriteri duhet të jetë i njëjtë, dhe pikërisht për këtë konsideroj se kjo është një çështje e pjekurisë institucionale. Pasi të fillojë viti i ri akademik në pjesën e parë të tetorit, do t’i ftoj përfaqësuesit e asociacioneve studentore në një takim, ku jo vetëm do t’ju prezantohet zgjidhja, por e njëjta do t’ju sqarohet në mënyrë praktike.”, - theksoi ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.
 
Toska: Të shqyrtohet vendimi për paralelen në Shkollën Fillore “Penko”
 
Deputetja Toska po ashtu kërkoi nga ministrja për Arsim dhe Shkencë, Vesna Janevska, që ta rishikojë vendimin, për, siç tha, mbylljen e paraleles së pestë nga klasa e parë në gjuhën shqipe në Sh.F. “Petar Zdravkovski – Penko”.
 
“A do ta rishikoni vendimin për mbylljen e paraleles së pestë në klasën e parë në gjuhën shqipe, në Sh.F. “Petar Zdravkovski – Penko”, dhe a do të garantoni rikthimin e saj kur ekziston një numër i mjaftueshëm i nxënësve për pesë paralele. Nëse e bëni standardin e njëjtë për të gjithë fëmijët, atëherë do të duhet që paralelet në gjuhën maqedonase, të cilat kanë nga 4 apo 5, por edhe 10 fëmijë, t’i bashkoni në një paralele.”, - u shpreh deputetja e BDI-së, Dijana Toska.
 
Janevska: Skandali jeni ju vetë!
 
“Në Sh.F. “Petar Zdravkovski – Penko” nuk ka skandal. Po kërkoni publikisht para të gjithë opinionit ta thyeni ligjin, po kërkoni nxënës të shkojnë në shkollë nga një komunë në një tjetër komunë, edhe pse ju vet i keni votuar ligjet për arsim fillor, arsim të mesëm, por po ashtu e dini mirë se ka rajonizim. Edhe pohimet të cilat i thanë për paralelet në gjuhën maqedonase nuk janë të sakta. Po ashtu po interpretoni keq, në atë shkollë nuk ka shkurtim të paraleles, por nuk ka pasur nxënës që të mbetet edhe një paralele.”, - deklaroi ministrja e MASh-it, Vesna Janevska.
 
Sipas ministres së Arsimit dhe Shkencës nuk është skandal Sh.F. “Petar Zdravkovski – Penko”, por skandal janë vetë deputetët e BDI-së, të cilët kërkojnë në Parlament të thyhen ligjet, të cilat vet ato i kanë votuar.
 
FITIM KRYEZIU