Rajon
LVV: Opozita synon ta dërgojë Kosovën në zgjedhje
11.09.2026 15:39
Ngërçi politik në Kosovë vazhdon....

Ngërçi politik në Kosovë vazhdon. Lëvizja Vetëvendosje e ka akuzuar opozitën se po kërkon konstituimin e Kuvendit dhe më pas Kosova të shkojë në zgjedhje. Akuzat janë bërë nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, i cili njëherësh ka theksuar se qëllimi i partisë së tij është krijimi i të gjitha institucioneve dhe shmangia e zgjedhjeve të reja.
“Ne po kërkojmë që të krijojmë të gjitha institucionet, e jo vetëm Kuvendin e Republikës, që të shkojmë zgjedhje pas dy muajve. I keni dëgjuar deklaratat e opozitës që po kërkojnë Kuvendin për ta konstituuar edhe për të shkuar në zgjedhje. E keni deklaratën e Avdullah Hotit. Ne nuk po kërkojmë zgjedhje. Ne po kërkojmë që të krijohen institucionet, vendi mos të shkojë në zgjedhje. Vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të katërtën herë.”, - deklaroi Mefail Bajqinovci nga LVV.
Hamza: PDK nuk do të marr pjesë në punimet e Kuvendit
Por, pasi Vetëvendosje nuk e votoi për nënkryetare të Kuvendit, Vlora Çitakun, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se PDK-ja nuk ka asnjë arsye të vazhdojë të marrë pjesë në punimet e Kuvendit dhe paralajmëroi dërgimin në Gjykatën Kushtetuese çështjen e konstituimit të Kuvendit.
“Prej sot PDK-ja nuk ka asnjë arsye për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit të RKS-së, dhe ne do ta dërgojmë lëndën në Gjykatën Kushtetuese.”, - theksoi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
Hoti: Jemi jashtë afateve kushtetuese
Pro dërgimit të konstituimit të Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese është edhe deputeti i LDK-së, Abdulla Hoti.
"Absolutisht që po, jemi krejt jashtë afateve kushtetuese.", - u shpreh Abdulla Hoti nga LDK.
Opozita pretendon se janë shkelur afatet kushtetuese, pasi konstituimi i Kuvendit nuk është përmbyllur brenda 30 ditësh, që nga certifikimi i rezultateve, dhe sipas tyre, Kosova automatikisht shkon në zgjedhje të reja. Partitë opozitare PDK dhe Aleanca, si dhe gjashtë deputetë të LDK-së vazhdojnë të mos e mbështesin as zgjedhjen e presidentit të shtetit, gjë që po ashtu e çon Kosovën në zgjedhje.
GYLTENE SINANI
