Maqedoni
AUV shkatërroi 6.000 vezë, vazhdojnë kontrollet e përforcuara
18.06.2015 19:35
Rreth 6.000 vezë me afat të vazhduar shkatërroi Agjencia për ushqim dhe veterineri (AUV) pas kontrollit të kryer inspektues në supermarketin "6 Vëllezërit" nga Batinca e Shkupit...

Vezët janë gjetur në depon e marketit dhe nuk kanë qenë me afat të skaduar, por në ambalazhin e tyre, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për siguri të ushqimit, në vend se 28 ditë është shtypur afati i përdorimit mbi 30 ditë.
"Bëhet fjalë për vezë prej të cilave pjesa më e madhe nuk janë plasuar në treg. Me kontrollin e bërë janë gjetur në depon e prodhuesit. Sasi mjaft të vogla janë lëshuar në rrjetin për shitje me pakicë", kumtoi Agjencia.
Për këtë shkelje "6 Vëllezërve" u është shqiptuar dënim në të holla prej 5.000 euro për personin juridik dhe 500 euro në kundërvlerë denari, për personin përgjegjës.
Agjencia për ushqim dhe veterineri paralajmëron se krahas kontrolleve të përforcuara të jashtëzakonshme në qendrat turistike para fillimit të sezonit turistik, kontrolle të përforcuara do të zbatojë edhe në objektet me pakicë në të gjitha vendet e banuara.
Sot kontrolle të përforcuara po zbatohen në Mavrovë dhe rajonin e Dibrës dhe Rekës.
AUV kumtoi se gjatë kontrolleve të përforcuara në objektet hotelierike në Shkup, inspektorët për ushqim dhe veterinerët zyrtarë kanë vizituar 14 kafene dhe restorante, me ç'rast janë shkatërruar 60 kilogramë ushqim me origjinë nga kafshët. Tre operatorëve u është shqiptuar masë për mbylljen e përkohshme të objekteve.
Me kontrollet e jashtëzakonshme në rajonin e Ohrit dhe të Strugës janë përfshirë 101 objekte hotelierike.
"Si institucion përgjegjës për sigurinë e ushqimit i inkurajojmë qytetarët çdo parregullsi në pikëpamje të sigurisë së ushqimit ta paraqesin në linjën telefonike falas për konsumatorët e Agjencisë për ushqim dhe veterineri 0800 3 22 22, por edhe personalisht, ose në postën elektronike [email protected]", thekson Agjencia për ushqim dhe veterineri./mia
