Maqedoni

Llaskarca, Supremja shfuqizon vendimin e Apelit, Savevski: Nuk punojmë në presion politik

11.09.2026 15:57

Saveski i ka hedhur poshtë pretendimet se gjykatat marrin vendime nën presion apo ndikim të Prokurorisë...

Prokurori Publik Republikan, Nenad Saveski, i ka hedhur poshtë pretendimet se gjykatat marrin vendime nën presion apo ndikim të Prokurorisë, pas vendimit të Gjykatës Supreme për rastin e Llaskarcës. Ai theksoi se vendimet gjyqësore merren në bazë të ligjit dhe provave të paraqitura në lëndë. Gjykata Supreme shfuqizoi aktgjykimin e Apelit për aksidentin e autobusit në Llaskarcë dhe e ktheu lëndën për rishqyrtim.
 
“Nuk mund ta pranoj dhe absolutisht konsideroj se është e gabuar përshtypja se gjykatat i marrin vendimet nën presion, nën ndikim ose në shërbim të Prokurorisë Publike. Aktvendimet merren në emër të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bazë të zbatimit të ligjeve dhe provave që përmbahen në ato lëndë.”, - deklaroi prokurori publik republikan, Nenad Savevski. 
 
Mickoski: Dëshpëruese, recidiva të qeverisjes paraprake
 
Vendimi ka nxitur reagime të shumta politike. Kryeministri Hristijan Mickoski e cilësoi situatën si dëshpëruese dhe akuzoi mbetje të ndikimit të qeverisjes së mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së në sistemin e drejtësisë. 
 
“Këto janë recidiva, mbetje e vogël nga qeverisja paraprake e LSDM-së dhe BDI-së dhe ky është resori i fundit për mbrojtjen e asaj qeverie dhe njerëzve që ishin pjesë e asaj qeverie. Kështu ishte edhe me spitalin modular, tash edhe me Llaskarcën. Kemi 30 viktima, shumë persona me invaliditet të përhershëm. Por, për fat të keq kjo nuk është arsye e mjaftueshme për disa gjykatës dhe prokurorë të qëndrojnë në anën e drejtësisë… Ky është dëshpërim, jo vetëm për mua, por edhe për qytetarët.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
VLEN: Po shpërfaqet dështimi i gjyqësorit
 
VLEN-i vlerëson se rasti tregon dështimin e gjyqësorit. 
 
“Shfuqizimi i aktgjykimit të Apelit dhe kthimi i lëndës për rivendosje hapin përsëri mundësinë që ky proces të zvarritet pa fund. Edhe në dhjetor paralajmëruam se “Durmo Turs”, bashkë me shumë raste të tjera, është dëshmi e gjallë e dështimit të sistemit. Pamë shtyrje të dyshimta, raporte mjekësore dhe moszbatim të vendimeve… Gjyqësori duhet reformuar nga rrënjët dhe ministri i ri i Drejtësisë e ka nisur mbarë këtë punë, me vendosmërinë që raste si Llaskarca të mos mbeten më peng i sistemit.”, - thanë nga VLEN. 
 
Filipçe: Rikthimi i besimit në drejtësi kërkon zbatimin e standardeve evropiane
 
Kreu i LSDM-së akuzon përpjekjet për t’i adresuar kontrollin mbi gjyqësorin LSDM-së dhe BDI-së, duke theksuar se nuk dëshiron të komentojë vendimet gjyqësore. Sipas tij, rikthimi i besimit në drejtësi kërkon zbatimin e standardeve evropiane.
 
“Shohim tendenca dhe përpjekje të grupit të organizuar kriminal të Hristijanit të paraqesë se diçka në gjyqësor kontrollon LSDM dhe BDI… Unë në parim nuk dua të komentoj vendime gjyqësor, por  vlerësoj se në këtë situatë ku besimi në gjyqësor është kryesisht shumë i ulët, mënyra e vetme me të cilën mund të fillojmë ta kthejmë besimin në jurisprudencë është që këtu të kemi jurisprudencë evropiane.”, - u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Gjykata Supreme ka shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Apelit në Shkup për aksidentin e autobusit në Llaskarcë, me të cilin disa prej të dënuarve u ishin rritur dënimet që Gjykata Penale ua kishte shqiptuar me aktgjykimin e shkallës së parë.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU