Sulmet detyrojnë Arabinë Saudite të mbyllë përkohësisht tubacionin e naftës
Arabia Saudite ka mbyllur përkohësisht tubacionin strategjik...

Arabia Saudite ka mbyllur përkohësisht tubacionin strategjik të naftës Lindje-Perëndim pasi sulmet shkaktuan zjarre mes luftimeve në rritje me Huthët e Jemenit. Kërcënimi vjen ndërsa rrjedhat e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit vazhdojnë të jenë të kufizuara.
Banorët e kryeqytetit të Jemenit, Sanaa, i cili është nën kontrollin e Huthëve, kanë shprehur mbështetje për përparimin e luftëtarëve të mbështetur nga Irani përgjatë bregdetit perëndimor ndërsa konflikti intensifikohet.
"Arabia Saudite duhet të mësojë nga ajo që ndodhi dhe fati i dhjetëra mijëra mercenarëve të saj - të gjithë të vrarë ose të kapur robër. Do të jetë radha e të gjithë atyre që u mashtruan dhe atyre që janë ende në anën e agresionit, në mënyrë që edhe ata të mund të nxjerrin mësimin e tyre". – deklaroi Fuad Al-Khanis, anëtar i Zyrës mbikëqyrëse të Ansar Allah.
"Këto fitore të mëdha nuk ishin një sukses i vogël. Ky është një front që mbulon një sipërfaqe prej 2,600 kilometrash katrorë, i cili u pastrua dhe u çlirua nga mercenarët. Ata ishin përgatitur për këtë front për katër vjet". – tha një banorë i Sanaa.
“Pavarësisht mbështetjes së familjes Saud, Arabia Saudite përmes forcave ajrore, pavarësisht forcave të koalicionit dhe mbështetjes së SHBA-së dhe Perëndimit - ata dështuan. Dhe unë përgëzoj boshtin e rezistencës dhe xhihadit për fitoret e mëdha në Jemen, Iran, Liban dhe Gaza”. - tha një banorë tjetër i Sanaa.
Tubacioni Lindje-Perëndim ka provuar të jetë një litar shpëtimi kritik për eksportet e naftës së Arabisë Saudite mes ndërprerjeve të shkaktuara nga lufta me Iranin.
Disa dronë të nisur nga Iraku sulmuan tubacionin në rajonet e Riadit dhe Medinës, tha Ministria e Jashtme Saudite.
Qeveria në Bagdad ka urdhëruar një hetim. Në margjinat e samitit të BRICS, presidenti iranian foli për lirinë e lundrimit dhe tregtisë, si dhe për stabilitetin në rajon.
“Irani është përballur me sanksione të gjera gjatë viteve të fundit. Siguria ekonomike nuk mund të ndahet nga siguria kombëtare dhe rajonale. Sa herë që tregtia, energjia, infrastruktura ose sistemi financiar i një vendi vihet nën presion politik ose ushtarak, pasojat përhapen përtej kufijve të atij vendi dhe mund të ndikojnë në stabilitetin rajonal dhe madje global”. – u shpreh Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian.
Pavarësisht thirrjeve për t’i dhënë fund luftës, luftimet në të gjithë Lindjen e Mesme janë intensifikuar ditët e fundit pasi Irani dhe Shtetet e Bashkuara shkëmbyen zjarr në Ngushticën e Hormuzit, duke synuar anijet cisternë të naftës dhe infrastrukturën ushtarake. (Fitim Kryeziu, TVM2)
