Rajoni i Tetovës, mbi 30% më shumë zjarre këtë vit
Mbi 30% është rritur këtë vit numri i zjarreve në Tetovë...

Mbi 30% është rritur këtë vit numri i zjarreve në territorin që mbulohet nga Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë, krahasuar me vitin e kaluar. Sipas zjarrfikësve, kjo rritje tregon për pakujdesi të madhe të qytetarëve, veçanërisht gjatë ndezjes së zjarreve në hapësira të hapura.
Numri i përgjithshëm i intervenimeve ka arritur në rreth 1 mijë, ndërsa shumë prej tyre kanë qenë në zona malore dhe pyjore, ku ndërhyrja është shumë më e vështirë.
“Nuk jemi të kujdesshëm bashkërisht ne si qytetarë të Pollogut me ndezjen e zjarreve. Në këtë periudhë ka pasur vetëm në hapësirat e hapura, por kemi pasur zjarre edhe në hapësirat e mbyllura, por edhe intervenime teknike që ne si zjarrfikës dimë t’i bëjmë.” – tha Avni Ameti, Komandant i NJTKZ Tetovë.
Terreni malor mbetet një nga sfidat më të mëdha për zjarrfikësit. Për të arritur te vatrat e zjarrit, shpesh nevojiten mjete të posaçme dhe ndërhyrje nga ajri.
Komandanti i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit thotë se, krahas pajisjeve që posedojnë, ndihmë të rëndësishme kanë marrë edhe nga institucionet e tjera.
“Ne jemi të përgatitur për këto lloj zjarresh. Dihet që posedojmë xhipa të modifikuar për zjarrfikësit. Futemi në ambiente shumë të vështira nëpër male. Gjithashtu, kemi ndihmë shumë të madhe nga Drejtoria për Menaxhim me Kriza, apo drejtori Muhamet Aliu, i cili është gjendur gjithë kohës këtu në Pollog me intervenim nga ajri. Kjo ka qenë një risi këtu në Pollog.” – deklaroi Avni Ameti, Komandant i NJTKZ Tetovë.
Ameti kërkon që numri i zjarrfikësve të rritet, ashtu siç parashihet me ligj, në raport me numrin e banorëve. Ndërsa thotë se mbështetjet financiare dhe donacionet mbeten burim i rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të punës në NJTKZ Tetovë. Komuna e Tetovës ka siguruar pajisje dhe mjete të ndryshme, ndërsa ndihmë kanë dhënë edhe ambasadat e huaja.
“Komuna e Tetovës ka bërë intervenimin me disa lloje pompash për thithjen e ujit, veshje për zjarrfikësit dhe gjithçka që na është nevojitur, si tuba dhe pajisje të tjera që i përdorim çdo ditë. Donacione të reja kemi pranuar, siç e dini, së fundmi nga Ambasada e Austrisë, ku kemi dërguar dy kamionë edhe në stacionin e Bogovinës. Presim që të kemi bashkëpunim sa më të ngushtë edhe në të ardhmen me Ambasadën e Zvicrës, e cila dihet se ka qenë një ndër donatorët më të mëdhenj vitet e fundit.” – u shpreh Avni Ameti, Komandant i NJTKZ Tetovë.
Së fundmi, zjarrfikësit e Tetovës, përveç territorit të Tetovës dhe pesë komunave rurale që mbulojnë, u kanë dalë në ndihmë edhe zjarrfikësve në qytete të tjera, siç ishte rasti me shuarjen e zjarrit në deponinë e Strugës. (Visar Sadiku, TVM2)
