UEJL me një program të ri studimor, më shumë profesionistë për fëmijët me nevoja të veçanta

13.09.2026 16:10

Një drejtim i ri studimi i bashkohet këtë vit ofertës akademike...

Një drejtim i ri studimi i bashkohet këtë vit ofertës akademike të Universitetit të Evropës Juglindore. Bëhet fjalë për programin “Edukimi Special dhe Rehabilitimi“, i cili synon të përgatisë profesionistë për një fushë ku nevoja për ekspertizë është gjithnjë e më e madhe.

Programi tashmë është akredituar dhe ka marrë lejen për punë.

“Përmes këtij programi dëshirojmë të krijojmë profesionistë të cilët do të mund të punojnë me fëmijët dhe personat me nevoja ndryshe, duke qenë më afër tyre dhe familjeve të tyre. Në këtë mënyrë synojmë të kontribuojmë në krijimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse, duke u dhënë mundësi këtyre personave, por edhe të gjithë të tjerëve, për zhvillim dhe për të qenë pjesë aktive e shoqërisë.” – tha Dekanja e Fakultetit të Shkencave Shoqërore – UEJL, Merita Zulfiu Alili.

Nevoja për këtë profil profesional nuk lidhet vetëm me arsimin. Sipas psikologut një numër i konsiderueshëm i fëmijëve dhe të rinjve kanë nevojë për mbështetje të specializuar  gjatë gjithë procesit arsimor.

“15% të popullatës së përgjithshme të fëmijëve dhe të rinjve kanë nevoja më të lehta, të moderuara, jo rrallë edhe të rënda për edukim special dhe rehabilitim, pra për profesionistë, edukatorë specialë dhe rehabilitues, që këto vështirësi në zhvillim dhe funksionimin e tyre të përditshëm, deri në shkollimin e mesëm dhe sipëror, t’i zbusin sepse numrat janë jashtëzakonisht të lartë.”

Këta të rinj do të kenë të siguruar edhe vendin e punës pas studimeve. Vendi ynë tashmë ka të miratuar një Strategji Nacionale për Shëndetin Mendor të Fëmijëve e të Rinjve dhe nevoja për këtë profil është e madhe.

“Përditë e shoh problemin dhe mungesën e edukatorëve specialë, njerëzve më të rëndësishëm për shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve në shtet. E di sa punë ka dhe sa punë kanë ngecur për shkak të mungesës së tyre. Pra, kolegët e rinj do të japin kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm duke u marrë me fëmijët, por edhe për edukimin e gjeneratave të reja. Ka mungesa të jashtëzakonshme dhe do ti kenë vendet e punës të garantuara pra s’do të kenë nevojë të ikin jashtë nëse duan të jetojnë e punojnë këtu.”

Hapja drejtimit të ri nuk e zgjidh menjëherë mungesën e profesionistëve, por synon të shtojë kuadrin në një fushë ku nevoja tashmë është e evidentuar. Për fëmijët dhe familjet që përballen çdo ditë me këto sfida, më shumë profesionistë do të thotë edhe më shumë mundësi për mbështetje, arsimim dhe përfshirje. (Rejhane Bushi – Metaj, TVM2)