Tensionet në Hormuz, arabët diskutojnë një rrugë detare me Iranin
Të hënën në Muscat...

Të hënën në Muscat, ministrat e jashtëm arabë do të diskutojnë krijimin e një rruge të sigurt transporti detar midis Iranit dhe Omanit përmes Ngushticës së Hormuzit.
Një marrëveshje për një rrugë të përbashkët transporti detar do të nënshkruhet në takim dhe rezultatet do t'i raportohen Organizatës Ndërkombëtare Detare.
Vendimi vjen ndërsa Arabia Saudite mbylli përkohësisht tubacionin strategjik të naftës Lindje-Perëndim pasi sulmet shkaktuan zjarre pas intensifikimit të luftimeve me Huthët e Jemenit dhe Presidenti i SHBA-së Trump fajësoi Iranin për sulmin.
“Të hënën, ministrat e jashtëm arabë do të takohen në Oman për të arritur një lloj marrëveshjeje mbi ngushticën dhe Organizata Ndërkombëtare Detare do të njoftojë statusin e saj. Kështu, brenda kornizës së parimeve të dakorduara ndërkombëtarisht, rruga e transportit detar do të hapet me kusht që SHBA-të t'i japin fund bllokadës dhe aktiviteteve të tyre frikacake". – tha Presidenti i Iranit, Masoud Pezizkian.
Presidenti iranian tha se Teherani "nuk ka probleme" me Emiratet e Bashkuara Arabe ose ndonjë vend tjetër, por kundërshton praninë e bazave ushtarake amerikane në rajon.
Deklaratat vijnë ndërsa tensionet në rajon vazhdojnë të rriten. Iraku ka mbyllur dy kalime kufitare kryesore me Iranin, duke ndaluar të gjithë trafikun e pasagjerëve dhe atë tregtar.
Mbylljet vijnë pasi Kryeministri Ali Falih al-Zaidi urdhëroi shkarkimin e komandantit të Komandës së Operacioneve Maysan dhe formimin e një komiteti hetimor pasi u përcaktua se sulmet që synonin Arabinë Saudite u nisën nga një vendndodhje në atë provincë.
"Kemi qenë këtu për një javë dhe tani duam të kthehemi. Ata thanë se kishte një sulm, kjo është ajo që dëgjuam, por nuk e dimë me siguri. Kemi arritur në kufi dhe duam të kalojmë, por nuk mundemi. Ka gra, burra, të moshuar dhe fëmijë me ne. Të gjithë duan të kalojnë në anën tjetër, por nuk munden. Njerëzit tanë po presin në anën tjetër, dhe është gjithashtu e mbyllur. Ata janë bllokuar atje, dhe ne jemi këtu. Nuk dimë çfarë të bëjmë". – tha një qytetarë.
Tubacioni Lindje-Perëndim ka qenë jetik për eksportin e vazhdueshëm të naftës nga Arabia Saudite në muajt që kur konflikti i lidhur me Iranin ndërpreu trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, eksportet e naftës saudite përmes portit të Detit të Kuq, ku përfundon tubacioni, janë më shumë se dyfishuar që nga fillimi i konfliktit me Iranin. (Fitim Kryeziu, TVM2)
