Maqedoni

11 zjarre në hapësirë të hapur gjatë 24 orëve të fundit, një nën kontroll

14.09.2026 09:47

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 11 zjarre në hapësirë të hapur...

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 11 zjarre në hapësirë të hapur, ndërsa deri në orën 07:30 të mëngjesit të sotëm asnjë prej tyre nuk është aktiv, informojnë nga Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK).
 
Nga zjarret e regjistruara, sipas QMK-së, 10 janë shuar, ndërsa një është vënë nën kontroll.
 
Nën kontroll është zjarri pranë fshatit Belicë, në Komunën e Makedonski Brodit, në vendin e quajtur Kajorec, ku digjet pyll me trungje të ulëta dhe pyll i përzier. Ky zjarr ishte aktiv prej disa ditësh, ndërsa të shtunën në aksionin për vënien e tij nën kontroll ndërhynë mbi 60 persona, të cilët vepruan paralelisht nga ana e Shkupit dhe nga Makedonski Brodi. Në aksion u përfshinë ekipet e Ndërmarrjes Publike “Jasen” dhe ekipet e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, të pajisura me automjete terreni “Pinzgauer”.
 
Sipas QMK-së, zjarret e shuara janë regjistruar në disa pjesë të vendit, ku janë djegur bimësi e ulët, ara me kashtë dhe mbeturina.