Maqedoni

Pesë komisione parlamentare sot mbajnë seanca

14.09.2026 10:10

Në Kuvend sot do të mbajnë seanca pesë komisione...

Në Kuvend sot do të mbajnë seanca pesë komisione – Komisioni për Politikë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, Komisioni për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Komisioni për Shëndetësi, Komisioni për Transport, Transformim Digjital, Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor dhe Komisioni Ligjvënës-Juridik.
 
Në rend dite janë disa propozim-ligje me procedurë të shkurtuar, mes të cilave ndryshimet në ligjet për masat restriktive, përfaqësimin para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, inspektimin sanitar dhe shëndetësor, veprimtaritë komunale, ndërtimin dhe transportin në komunikacionin rrugor.
 
Komisioni për Politikë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme do të shqyrtojë Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për masat restriktive. Ndryshimet parashikojnë saktësimin e dispozitave të identifikuara si mangësi në Raportin e raundit të pestë të vlerësimit të sistemit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit të MONEYVAL-it pranë Këshillit të Evropës, të miratuar në maj të vitit 2023. Propozim-ligji parashikon gjithashtu harmonizim me rekomandimet e FATF-it.
 
Komisioni për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive do të debatojë për ndryshimet e Ligjit për përfaqësimin e Republikës së Maqedonisë para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Qëllimi është harmonizimi i procedurës dhe kushteve për emërimin, përfundimin e mandatit dhe shkarkimin e agjentit qeveritar me Ligjin për drejtuesit e lartë.
 
Komisioni për Shëndetësi do të shqyrtojë ndryshimet e Ligjit për inspektimin sanitar dhe shëndetësor. Sipas ndryshimeve dhe në përputhje me Ligjin për drejtuesit e lartë, mandati i drejtorit përcaktohet në pesë vjet, ndërsa kushtet dhe procedura për emërimin, përfundimin e mandatit dhe shkarkimin do të rregullohen me këtë ligj.
 
Komisioni për Transport, Transformim Digjital, Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor do të debatojë për ndryshimet në ligjet për veprimtaritë komunale, ndërtimin dhe transportin në komunikacionin rrugor. Me ndryshimet e propozuara bëhet harmonizimi me Ligjin për drejtuesit e lartë.
 
Komisioni Ligjvënës-Juridik do t'i shqyrtojë të njëjtat propozim-ligje, të gjitha me procedurë të shkurtuar.