Rajon

Kosovë, PDK-ja i drejtohet kushtetueses

14.09.2026 10:59

PDK ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së konstituimit të Kuvendit të Kosovës...

Partia Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së konstituimit të Kuvendit të Kosovës, përfshirë zgjedhjen e kryetares dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
 
Pas dorëzimit të kërkesës, përfaqësuesit e PDK-së, Arian Tahiri, Përparim Gruda dhe Faton Fetahu, thanë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të merret sa më shpejt, me arsyetimin se vendimet e institucioneve të dala nga një Kuvend, që, sipas tyre, nuk është konstituuar në përputhje me Kushtetutën, mund të prodhojnë pasoja juridike dhe institucionale. Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha se kërkesa përfshin vlerësimin e kushtetutshmërisë së konstatimit për konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e kryetares, mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarëve dhe votimin e tyre.
 
“Ne besojmë dhe në vazhdimësi kemi folur me respekt dhe me besim për punën, profesionalizmin e Gjykatës Kushtetuese, andaj edhe sot flasim me vlerësim e besim dhe konsiderojmë që është imediate, shumë e rëndësishme që të merret vendimi sa më parë në mënyrë që të mos prodhohen dëme e situata me të rënda në kuptimin juridik, institucional.”, ka theksuar Tahiri.
 
Ai pretendoi se edhe Qeveria e zgjedhur nga Kuvendi mund të marrë vendime të jashtëligjshme, nëse konstituimi i Kuvendit konstatohet se ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën.