Maqedoni
QMK: Vijon lufta me zjarret, tre zjarre në ambiente të hapura, një ende aktiv
14.09.2026 14:36
Lufta me zjarret në ambiente të hapura në Maqedoninë e Veriut ende nuk ka përfunduar....

Lufta me zjarret në ambiente të hapura në Maqedoninë e Veriut ende nuk ka përfunduar. Megjithatë, situata në terren është dukshëm më e qetë në krahasim me ditët e javës së kaluar, kur ekipet e zjarrfikësve u përballën me disa vatra zjarri në zona të ndryshme të vendit.
Sipas të dhënave të fundit të Qendrës për Menaxhim me Kriza, deri në orën 13:00 të ditës së sotme janë regjistruar gjithsej tre zjarre në ambiente të hapura në territorin e vendit. Prej tyre, një zjarr vazhdon të jetë aktiv, një është vënë nën kontroll, ndërsa një tjetër është shuar plotësisht.
Vatra aktive është regjistruar në territorin e Komunës së Velesit, në fshatin Ivankovcë, ku zjarri ka përfshirë një zonë pyjore. Ekipet në terren po vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe të ndërhyjnë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Një tjetër zjarr është regjistruar në territorin e Komunës së Makedonski Brodit, në zonën Dabova Dupka – Jasen, në afërsi të fshatit Belicë, si dhe në zonën Kajorec. Ky zjarr aktualisht është nën kontroll. Sipas informacioneve, zjarri ka përfshirë sipërfaqe me shkurre të ulëta dhe pyll të përzier me pisha.
Ndërkohë, zjarri i tretë, i regjistruar në territorin e Komunës së Kumanovës, në rrugën “Ilievski” nr. 51, është shuar plotësisht. Në këtë rast ishte përfshirë vegjetacion i ulët.
Edhe pse numri i vatrave aktive është ulur dhe situata është më e qetë, autoritetet vijojnë të mbajnë nën vëzhgim zonat e prekura, veçanërisht ato pyjore dhe me vegjetacion të dendur, ku ekziston rreziku që zjarret të riaktivizohen.
Qendra për Menaxhim me Kriza vazhdon monitorimin e situatës me zjarret në ambiente të hapura në të gjithë vendin, ndërsa ekipet e shërbimeve kompetente mbeten në gatishmëri për ndërhyrje në rast të shfaqjes së vatrave të reja.
Pavarësisht përmirësimit të situatës krahasuar me javën e kaluar, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin çdo aktivitet që mund të shkaktojë zjarre, veçanërisht në zonat pyjore dhe në hapësirat me vegjetacion të thatë.
FARIJE DAUTI BAKIU
