Maqedoni
Derivatet e naftës, me uljen e TVSh-së bien çmimet
14.09.2026 15:15
Qeveria ka vendosur që përkohësisht ta ulë TVSh-në për karburantet nga 18 në 10 për qind...

Qeveria ka vendosur që përkohësisht ta ulë TVSh-në për karburantet nga 18 në 10 për qind. Masa do të zbatohet nga 15 deri më 28 shtator 2026, me qëllim zbutjen e ndikimit të rritjes së çmimeve botërore të naftës tek konsumatorët dhe ekonomia vendase. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se, nëse Qeveria nuk do ta kishte ulur akcizën dhe TVSh-në, çmimi i naftës në Maqedoni do të ishte 11 deri në 11.5 denarë më i lartë për litër. Mickoski theksoi se masat janë marrë për të kufizuar goditjen e rritjes së çmimeve ndaj qytetarëve dhe kompanive.
“Nëse nuk do të ishte marrë kjo masë, si dhe vendimet e mëparshme për uljen e akcizës, për shembull çmimi i naftës do të ishte rreth 11–11.5 denarë më i lartë për litër se sa është sot. Me rritjen e konsumit në pikat e karburantit në vend, veçanërisht në pjesët veriore, perëndimore dhe jugore, për shkak të qytetarëve që vijnë nga Greqia, Shqipëria dhe Serbia, kemi arritur në mbi 2 milionë litra karburant të harxhuar në pikat e karburantit në Maqedoni.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ministrja Koçovska tha se rritja e çmimeve të naftës nuk ishte parashikuar në ribalancin e buxhetit, ndërsa tani po shqyrtohet mundësia nëse do të ketë rialokim apo ribalancë.
“Çdo reagim dhe çdo vendim që marrim ka për qëllim që qytetarët të jetojnë më mirë dhe kjo do të mbetet edhe më tej. Është normale që këto situata nuk ishin planifikuar në mënyrë adekuate në rishikimin e buxhetit, sepse në periudhën kur përgatitëm rishikimin e buxhetit, situata ishte më e qetë dhe prisnim që gjërat të zhvilloheshin në atë drejtim. Deri në fund të javës do të kemi takime me dy institucione që janë shtyllat e shtetit dhe nga të cilat varen në masë të madhe të hyrat Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe Dogana. Në bazë të vlerësimeve dhe projeksioneve të tyre, do të marrim vendim nëse do të bëjmë rishikim të buxhetit apo rialokim të mjeteve.”, - u shpreh ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Koçovska.
Nga Qeveria njoftojnë se do të vazhdojnë të monitorojnë gjendjen në tregun e derivateve të naftës dhe, nëse është e nevojshme, do të ndërmarrin masa shtesë.
GAZMEND KURTISHI
