Botë
Zgjedhjet parlamentare në Suedi, opozita kryeson me vetëm 3 mandate
14.09.2026 16:27
Zgjedhjet parlamentare në Suedi kanë rezultuar me një diferencë...

Zgjedhjet parlamentare në Suedi kanë rezultuar me një diferencë të ngushtë midis garuesve. Opozita e qendrës së majtë ka një epërsi të vogël ndaj koalicionit qeverisës, pasi janë numëruar më shumë se 90 për qind e votave.
Katër partitë opozitare, të udhëhequra nga liderja e socialdemokratëve, Magdalena Andersson, kanë fituar një epërsi prej tre mandatesh në Parlamentin me 349 vende ndaj bllokut të djathtë të kryeministrit Ulf Kristersson, ku përfshihen edhe Demokratët e Suedisë, parti kundër imigracionit.
“Tani duhet të presim rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Çdo votë duhet të numërohet. Por, mesazhi im është i qartë: ne, Socialdemokratët, do të jemi gjithmonë të gatshëm të marrim përgjegjësinë për rezultatin.”, - deklaroi liderja e Socialdemokratëve në Suedi, Magdalena Andersson.
“Për mua rezultati nuk është aq befasues. Isha mjaft i bindur se diferenca do të ishte shumë më e vogël sesa sugjeronin sondazhet e ndryshme, kështu që nuk jam shumë i befasuar.”, - theksoi kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson.
Një nga surprizat më të mëdha të zgjedhjeve ishte rënia e mbështetjes për Demokratët e Suedisë, të cilët për herë të parë që nga hyrja e tyre në Parlament në vitin 2010 humbën mbështetje.
Rezultati përfundimtar mund të bëhet i ditur vetëm pas disa ditësh, pasi autoritetet lokale zgjedhore të mërkurën do të fillojnë numërimin e votave që nuk kanë mbërritur në qendrat e votimit ditën e zgjedhjeve.
FITORE NAGAVCI
