Kurti: Presim vendim lirues nga Haga për krerët e UÇK-së
14.09.2026 16:46
Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur mbledhjen e parë të Qeverisë Kurti katër, e cila u zgjodh të dielën....

Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur mbledhjen e parë të Qeverisë Kurti katër, e cila u zgjodh të dielën. Në fillim të seancës, Kurti tha se Kosova po pret vendim lirues nga Gjykata Speciale në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli.
“Pas 2 ditësh, Kosova, ne, të gjithë presim vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për drejtuesit e ushtrisë çlirimtare të Kosovës; Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli. Për ne është gjithçka e qartë: populli i Kosovës, rezistenca dhe lufta jonë ka qenë e drejtë, çlirimtare, dhe kundrejt një pushtuesi. i cili kreu krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Besojmë e urojmë që edhe verdikti i së mërkurës të jetë në përputhje me këtë të drejtë dhe drejtuesit e UÇK-së të kthehen të lirë në vendin e tyre e pranë familjeve.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti: Ta zgjedhim presidentin, t’i shmangim zgjedhjet
Kurti njëherësh u ka bërë thirrje liderëve politikë dhe deputetëve që të arrijnë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, pasi, sipas tij, shkuarja sërish në zgjedhje do të ishte “papërgjegjësi ndaj interesit publik dhe pamaturi e madhe politike”.
“Sot, kur po flasim, jemi me kuvend të konstituuar e qeveri të zgjedhur, ndërkaq përpara kemi çështjen e presidentit dhe një marrëveshje politike mes subjekteve Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për kandidatin për president. Para nesh është sfida me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë, nga radhët e LDK-së, të cilët nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim, pas një procesi negociatash jo të lehta, të autorizuara nga kryesitë përkatëse të partive tona. Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ndërkohë Partia Demokratike e Kosovës ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, konstituimin e Kuvendit.
GYLTENE SINANI
