Dakordimi për kodin zgjedhor, Mickoski i hapur për bashkëpunim, Filipçe mbetet në kërkesat e vjetra

14.09.2026 16:47

Pushteti rihap mundësinë e gjetjes së zgjidhjes për kodin zgjedhor...

Pushteti rihap mundësinë e gjetjes së zgjidhjes për kodin zgjedhor. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se bisedimet mund të zhvillohen në kohën kur opozita të ketë qëndrim të unifikuar.

“Unë pres të kemi qëndrim të përbashkët, ashtu siç e përmbyllëm fazën paraprake sfiduese. Pra, një qëndrim i përbashkët i opozitës së bashkuar, Së Majtës, LSDM-së dhe BDI-së. Atëherë kur do të kenë qëndrim, ne jemi të gatshëm që të ulemi dhe bisedojmë dhe të gjejmë zgjidhje të përbashkët.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Nga LSDM-ja këmbëngulin që votimi i diasporës të mbetet fizik e jo me postë apo në formë elektronike, për të parandaluar keqpërdorimet, siç pretendojnë të pushtetit.

Socialdemokratët nuk duan ndryshime as në pjesën e votimit brenda shtetit.

“Pozicionet tona janë të qarta dhe të pandryshuara. E para të mbetet mënyra e deritanishme e shënimit të fletës së votimit, d.m.th. vetëm me rrethim të numrit para emrit, gjegjësisht partisë, kurrfarë shenjash dhe yjesh të tjera, pasi që dëgjuam gjatë bisedimeve se si ish-funksionarë të VMRO-së i kanë dhunuar njerëzit që të dalin në votime dhe ata në një mënyrë kanë qenë të detyruar që të shënojnë fletëvotimin, që të dihet se kush ka votuar dhe kush jo.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Opozita shqiptare është për përfshirjen elektronike të diasporës, por që të garantohet transparenca gjatë votimit. E Majta së fundmi kërkon që bisedimet e grupit të punës të mbahen në Kuvend e jo në Ministrinë e Drejtësisë.

Vërejtjet e tyre kanë qenë kryesisht rreth financimit të reklamimit zgjedhor të partive politike.

Grupi i punës nuk arriti që të dakordohet për ndryshimet në kodin zgjedhor gjatë verës, edhe pse kërkesa ishte pjesë e pakos reformuese të BE-së, duke humbur 4.2 milionë euro para evropiane. (Meral Ismaili, TVM2)