Botë
Sot mbyllet fushata zgjedhore në Shqipëri
19.06.2015 10:02
Fushata elektorale për zgjedhjet vendore në Shqipëri, mbyllet sot në mbrëmje në të gjithë vendin për t'i hapur rrugën ditës së votimeve të dielën, më 21 qershor...

Siç njofton ATSH-ja, koalicioni Aleanca për Shqipërinë Europiane organizoi mbrëmë tubimin përmbyllës në Tiranë, ndërsa koalicioni opozitar "Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet", i drejtuar nga Partia Demokratike, pritet ta mbyllë fushatën mbrëmjen e sotme në Tiranë.
Gjatë 30 ditëve të fushatës zgjedhore, 62 subjektet politike që do të konkurojnë në votime, shpalosën para elektoratit programet dhe alternativat e tyre për qeverisjen vendore gjatë katër viteve të ardhshëm.
Mbyllja e fushatës, që sipas Kodit Zgjedhor, përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve, ia lë vendin heshtjes zgjedhore.
"Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore", thuhet në nenin 77 të Kodit Zgjedhor.
Duke iu referuar kësaj pike, më 20 qershor dhe gjatë gjithë ditës së dielë më 21 qershor, partitë dhe mediat duhet të respektojne atë që në ligj përcaktohet si “heshtje zgjedhore”.
Më 21 qershor shqiptarët do të votojnë për kryetarët e rinj të 61 bashkive të vendit, sipas hartës së re të ndarjes territoriale.
Për zgjedhjet e reja lokale janë regjistruar zyrtarisht në KQZ 62 subjekte zgjedhorë, 52 prej të cilave janë grupuar në dy koalicione, një i spektrit të majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, i cili përfshin 37 parti dhe një koalicion i spektrit të djathtë “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”, që grupon 15 parti, njofton ATSH-ja./mia
