Kulturë

Tetovë, “TIFF ODA” sjell në Tetovë filma nga 22 shtete

15.09.2026 13:31

Tetova bëhet edhe këtë vit pikëtakimi për kinematografinë vendore dhe ndërkombëtare....

Tetova bëhet edhe këtë vit pikëtakimi për kinematografinë vendore dhe ndërkombëtare. Nga 16 deri më 22 shtator, në qytet do të mbahet edicioni i 15-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “TIFF ODA”. Edicioni i sivjetshëm sjell një program të pasur filmik, me produksione nga rajoni dhe vende të ndryshme të botës.
 
“Këtë vit kemi filma nga 22 shtete të rajonit dhe të botës, si dhe 14 filma të metrazhit të gjatë, të cilët ndahen në tri kategori. Kategoria “Balkan Panorama” është kategori garuese, ndërsa në kategorinë “European Panorama” do të shfaqen filma fitues dhe filma pjesëmarrës në festivale prestigjioze botërore. Do të kemi gjithashtu disa shfaqje speciale.”, - theksoi drejtori i TIFF ODA, Agim Abdulla. 
 
Në program përfshihen edhe filma të shkurtër artistikë, dokumentarë, të animuar dhe studentorë, si dhe filma për fëmijë. Festivali do të hapet me filmin “Dua”, me regji të Blerta Bashollit, ndërsa do të përmbyllet me filmin “Shame and Money”, të regjisorit Visar Morina. Përveç shfaqjeve filmike, gjatë festivalit do të organizohen edhe diskutime dhe punëtori me artistë e pjesëmarrës, kushtuar temave që lidhen me filmin.
 
ARDITA IMERI RAMADANI