Maqedoni
UNT, kampusi po ndërtohet me ritme të shpejta
15.09.2026 14:04
Punimet për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” po zhvillohen me ritme të shpejta....

Punimet për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” po zhvillohen me ritme të shpejta. Sipas rektorit Bekim Fetai, projekti pritet të përfundojë brenda katër viteve të ardhshme. Për t’i hapur rrugë ndërtesave të reja, tashmë ka nisur edhe rrënimi i disa objekteve ekzistuese nga grupacioni i 5 kompanive që po punojnë për ndërtimin e tij.
“Punimet janë duke shkuar shpejt. Hapësira në të cilën ndërtohet kampusi i ri është mbi hapësirat e vjetra dhe tani ka filluar edhe rrënimi i disa objekteve ekzistuese, për shkak se në ato faza të ndryshme në ato duhet të ndërtohet kampusi i ri. Kemi dy objekte të cilat do të na rrënohen në fund të nëntorit. Objekti B dhe C, në të cilin kishim 10 klasa.”, - deklaroi rektori i UNT-së, Bekim Fetai.
Ritmi aktual i punimeve, sipas tij, pritet të ruhet edhe në vazhdim, me synimin që kampusi i ri të përfundojë brenda afatit të paraparë.
“Në ceremoninë e gurthemelit ata deklaruan se kanë fonde të mjaftueshme dhe nuk presin nga Qeveria që t’ua lëshojë të gjitha mjetet. Ata kanë interes që ta përfundojnë këtë projekt dhe të vazhdojnë me projekte të tjera, sepse në çdo vonesë ka penalti dhe kanë llogari që ta punojnë më shpejt.”, - theksoi rektori i UNT-së, Bekim Fetai.
Kampusi i ri do të ofrojë kushte më moderne për studentët dhe stafin akademik. Në hapësirat e reja do të ketë laboratorë modernë, bibliotekë me libra fizikë dhe burime digjitale, si dhe hapësira të dedikuara për kompani start-up. Një pjesë e rëndësishme e projektit është edhe lidhja më e drejtpërdrejtë e studimeve me praktikën, ndërsa hapësirat dhe laboratorët e rinj synojnë të krijojnë kushte më të mira edhe për punë kërkimore.
“Studentët do t’i kenë në kampus një pjesë të ushtrimeve, ta realizojnë pjesën praktike te kompanitë, do t’i huazojnë ato hapësira. Laboratorët do t’i kenë me kushte më të larta dhe më të sofistikuara, si dhe hapësira të mëdha në përdorim të studentëve dhe profesorëve, por edhe të hulumtuesve. Biblioteka do të jetë një nga hapësirat kryesore. Përveç librave fizikë, do të lidhemi edhe me bibliotekat digjitale në përdorim për studentët, ku do të jenë vetëm aty ku do të logohen.”, - u shpreh rektori i UNT-së, Bekim Fetai.
Me përfundimin e kampusit të ri, Universiteti “Nënë Tereza“ synon të krijojë një mjedis më modern për studim, praktikë dhe kërkim shkencor. Projekti pritet që në vitet e ardhshme të sjellë kushte më të mira për studentët dhe stafin akademik.
REJHANE METAJ
