Kuçi: Sistemi arsimor, gjeneratori kryesor i papunësisë
15.09.2026 15:15
Numri i personave të papunë është në rënie të vazhdueshme...

Numri i personave të papunë është në rënie të vazhdueshme. Nga mbi 90 mijë persona të papunë në muajin janar, ky numër është ulur në rreth 86 mijë persona në muajin maj. Ky zhvillim nxjerr në pah një mospërputhje në tregun e punës, ndërkohë që mijëra qytetarë vazhdojnë të kërkojnë punë. Menderes Kuçi në emisionin “Pas Numrave” në TVM2, Kuçi tha se orientimi i nxënësve dhe studentëve për vite me radhë është bërë pa planifikim dhe pa marrë parasysh kërkesën reale të ekonomisë.
“Gjeneratori kryesor i problemit të papunësisë sot është sistemi i arsimit, i cili nuk ka pasur veshë të dëgjojë kur ne sugjeronim që orientimi i nxënësve të mos bëhej në mënyrë stihike, por të planifikohej në përputhje me politikat e zhvillimit dhe nevojat e tregut të punës, duke filluar që në arsimin e mesëm. Pastaj, ky sindrom vazhdon edhe me dëshirat, kërkesat dhe, mbi të gjitha, me mungesën e informacionit te prindërit dhe nxënësit, të cilët nesër bëhen studentë. Kështu krijohet dukuria që sot kemi një numër të madh të diplomuarish, por shumë prej tyre nuk janë të aftë të kryejnë asnjë lloj pune jashtë fushës që kanë studiuar.”, - deklaroi për TVM2 afaristi, Menderes Kuçi.
Sulejmani: Kompanitë nuk kanë interesim për praktikë
Sipas zëvendësministrit të Arsimit, Sulejmani, politika për orientimin e nxënësve drejt arsimit profesional po jep rezultate.
“Interesimi i dobët i firmave në vendin tonë për t’u mundësuar nxënësve zhvillimin e mësimit praktik në kompanitë e tyre mbetet një problem. Me vështirësi po arrihet deri te kontratat përmes të cilave realizohet arsimi dual. Ndoshta këtu nevojitet edhe ndërhyrja e politikave shtetërore, përfshirë lehtësime tatimore për bizneset, me qëllim që të nxiten më shumë kompani të përfshihen në këtë proces.”, - theksoi për TVM2 zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani.
Sejdiu: Studentëve u kërkohet përvojë pune
Studenti Besar Sejdiu e cilësoi si paradoks faktin që kompanitë kërkojnë përvojë edhe nga ata që aplikojnë për punën e tyre të parë.
“Studentët, kur diplomojnë, dalin kryesisht me njohuri teorike, ndërsa kur kërkojnë punë përballen me kërkesën për përvojë pune, të cilën shpesh nuk kanë pasur mundësi ta fitojnë gjatë studimeve. Kjo krijon një hendek të madh mes universitetit dhe tregut të punës.”, - u shpreh për TVM2 studenti, Besar Sejdiu.
Bela: Praktika të bëhet pjesë e studimeve
Gjatë vitit të kaluar, në universitete në vend diplomuan 7.612 studentë ose 8.4 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë. Numri më i madh i diplomave vazhdon të jetë në fushat e biznesit, administratës dhe drejtësisë, i pasuar nga shëndetësia dhe mbrojtja sociale, si dhe nga teknologjitë e informacionit dhe komunikimit.
“Problemet reale me të cilat përballen bizneset duhet të përcillen përmes studentëve në akademi, në mënyrë që universitetet të ndihmojnë në analizimin dhe gjetjen e zgjidhjeve për to. Nuk mjafton të kemi vetëm ekonomi apo administrim biznesi. Sot kemi mungesë të profesionistëve në fusha, si menaxhimi i të dhënave, marketingu digjital dhe profesione të reja, që po krijohen nga zhvillimet teknologjike.”, - deklaroi për TVM2 profesori universitar, Bujamin Bela.
Institucionet vlerësojnë se zgjidhja kërkon ndryshime strukturore dhe një qasje më të koordinuar ndërmjet të të gjitha palëve. Ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë synojnë një lidhje më të madhe mes universiteteve dhe nevojave të tregut të punës, duke krijuar mundësi që studentët të përgatiten më mirë dhe ta gjejnë më lehtë vendin e tyre pas diplomimit.
GAZMEND KURTISHI
