Pushimi mjekësor, ndryshime të reja, mjekët kundërshtojnë shkurtimin në 5 ditë
15.09.2026 15:15
Pushimi mjekësor mund të pësojë ndryshime nëse hyjnë në fuqi masat e paralajmëruara nga Fondi për Sigurim Shëndetësor....

Pushimi mjekësor mund të pësojë ndryshime nëse hyjnë në fuqi masat e paralajmëruara nga Fondi për Sigurim Shëndetësor. Afati që mjeku amë mund të përcaktojë do të shkurtohet nga 7 në 5 ditë, ndërsa kontrollet mund të bëhen edhe në shtëpinë e pacientit. Mungesa në adresën e deklaruar mund të sjellë thirrje para komisionit mjekësor dhe njoftim të punëdhënësit. Mjekët e kundërshtojnë shkurtimin e afatit, duke theksuar se jo të gjithë pacientët mund të rikuperohen brenda pesë ditësh. Sipas tyre, disa raste kërkojnë më shumë kohë për shërim dhe kthimi i parakohshëm në punë mund të ndikojë në gjendjen e tij shëndetësore.
“Është propozim katastrofik. Është ligj restriktiv. Nuk mund ta urdhërosh popullatën të mos sëmuret. Nuk mundesh, me urdhëresa ose ndalesa, t’ia imponosh dikujt sa ditë duhet të sëmuret dhe sa ditë jo. Në radhë të parë cenohet etika mjekësore e punëtorëve të shëndetësisë, pastaj cenimi më i madh u bëhet pacientëve. Një sëmundje e cila parashikohet me ligj të jetë pesë ditë, ndërsa pacienti, nëse ka terapi për dy javë ose dhjetë ditë, është i paaftë për atë kohë të punojë. Këtu e cenojmë edhe të drejtën e qytetarit-pacient, por edhe të mjekut si shërbyes i shëndetësisë.”, - deklaroi për TVM2 mjeku, Sedat Lumani.
Qytetarët kanë mendime të ndara për ndryshimet e propozuara: disa vlerësojnë se ato mund të parandalojnë keqpërdorimet e pushimit mjekësor, ndërsa të tjerë i konsiderojnë si ndërhyrje në punën dhe gjykimin profesional të mjekëve.
Ndërsa mjeku Sedat Lumani ngre shqetësimin për ruajtjen e privatësisë së pacientëve. Ai thekson se të dhënat për sëmundje të ndjeshme, si problemet me impotencën, depresionin apo sëmundjet mendore, duhet të mbeten konfidenciale, pasi ekspozimi i tyre mund të cenojë dinjitetin e pacientit dhe t’i shkaktojë pasoja psikologjike.
“Nuk ka të drejtë të të hyjë dikush në dokumentet administrative të pacientit pa pëlqimin e tij. Duhet të ketë një pëlqim me shkrim, që i jep të drejtë dikujt tjetër ta kontrollojë dosjen shëndetësore ose kjo të bëhet me urdhër gjyqësor. Atëherë aty mbaron përgjegjësia e mjekut dhe përgjegjësinë e merr gjykata ose vetë pacienti. Përndryshe, sëmundjet e pacientëve janë të dhëna që janë të mbyllura me çelës. Ato duhet t’i dijë vetëm mjeku dhe pacienti; as anëtari i familjes nuk duhet t’i dijë.”, - theksoi për TVM2 mjeku, Sedat Lumani.
Pra, ndryshimet në rregulloren për pushimin mjekësor nuk janë ende në fuqi. Propozimi pritet të shqyrtohet nga Bordi Drejtues i Fondit javën e ardhshme, ndërsa zbatimi i tyre do të jetë i mundur vetëm pas miratimit të Bordit dhe marrjes së pëlqimit nga Ministria e Shëndetësisë. Deri atëherë, vazhdojnë të vlejnë rregullat aktuale për shfrytëzimin e pushimit mjekësor.
FARIJE DAUTI BAKIU
