Kuvend, shënohet Dita Ndërkombëtare e Demokracisë
15.09.2026 15:16
Theksi u vu te nevoja që demokracia të kultivohet dhe të forcohet çdo ditë, veçanërisht nga brezat e rinj....

Në Kuvend u shënua Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, një datë që simbolizon vlerat demokratike dhe rikujton rëndësinë e respektimit të të drejtave, lirive dhe zërit të qytetarëve. Theksi u vu te nevoja që demokracia të kultivohet dhe të forcohet çdo ditë, veçanërisht nga brezat e rinj. Me këtë rast, Kuvendin e vizituan nxënës të disa shkollave fillore, të cilëve përfaqësuesit e institucionit u shpjeguan se si kultivohet dhe praktikohet demokracia në shtëpinë ligjvënëse. Njëkohësisht, deputetët përcollën mesazhe për rëndësinë e kuptimit të thelbit të demokracisë, se ai që mendon ndryshe nuk është armik i tjetrit dhe se respektimi i vendimit të shumicës nuk është dobësi, por një nga parimet themelore të demokracisë.
"Në këtë shkallë të zhvillimit të demokracisë ne si politikanë, duhet të mësojmë dy gjëra. E para është se ai që mendon ndryshe nuk është armik i atij që mendon ndryshe dhe e dyta demokracia është një shkallë zhvillimi ku vendimin e shumicës, të tjerët që nuk kanë arritur ta imponojnë vendimin e tyre, vendosin ta respektojnë jo si dobësi, por si shprehje të kulturës politike. Nëse këto dy gjëra i mësojmë në demokraci, do të jetë më e lehtë që demokracia të funksionojë në çdo nivel në Kuvend, në klasa apo në çdo vend tjetër.”, - deklaroi nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski.
“Askush nuk ka lindur demokrat. Të gjithë, me kalimin e kohës dhe përmes edukimit në familje, në shkollë dhe në fakultet, zhvillojmë shprehi se si ta duam dhe ta respektojmë njëri-tjetrin dhe se e drejta jonë për diçka shkon deri aty ku fillon e drejta e tjetrit. Pikërisht për këtë arsye, në Kuvendin tonë organizojmë ngjarje të tilla, veçanërisht për të rinjtë, sepse për ne kjo është shumë e rëndësishme. Ka pasur periudha kur nuk kemi pasur Parlament dhe të tjerët kanë vendosur për ne. Ndërsa tani e kemi Parlamentin dhe duhet ta respektojmë.”, - theksoi këshilltari shtetëror - udhëheqës i Institutit Parlamentar, Zllatko Atanasov.
Para nxënësve, deputetëve dhe përfaqësuesve të organizatave civile, të cilët ishin të pranishëm, fjalim mbajti edhe ambasadori i Zvicrës në vend, Kristof Zomer, i cili tha se demokracia nuk është vetëm diçka që duhet ta respektojnë të rriturit, por duhet të kuptohet dhe të praktikohet edhe nga të miturit, veçanërisht nga fëmijët dhe të rinjtë.
“Demokracia nuk mund të merret dhe të kuptohet si diçka e mirëqenë. Demokracia nuk është një produkt i përfunduar, i cili prodhohet një herë dhe vendoset në një raft, por është diçka që duhet të praktikohet dhe të përmirësohet çdo ditë. Dhe kjo është një punë e vështirë. Sot, informacionet e rreme përhapen shpejt, ndërsa ndarjet politike e bëjnë të vështirë që palët të dëgjojnë njëra-tjetrën. Ndonjëherë, interesat politike afatshkurtra mund të jenë më të rëndësishme sesa zgjidhjet afatgjata. Prandaj, dialogu dhe Parlamenti janë të rëndësishëm, sepse Parlamenti është vendi ku zërat e ndryshëm dëgjohen, debatojnë, nuk pajtohen, por arrijnë kompromise.”, - u shpreh ambasadori i Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, Kristof Zomer.
Pas përfundimit të pjesës zyrtare, nxënësit patën mundësi t’u drejtonin pyetje deputetëve për mënyrën e funksionimit të Kuvendit, punën e tij dhe rëndësinë që ka ky institucion si shtëpi ligjvënëse e vendit, ndërsa përmes një filmi vizatimor të përshtatur për moshën e tyre, nxënësve iu shpjegua në mënyrë më të kuptueshme edhe thelbi i demokracisë.
REXHEP QAMILI
