Nagavci: LVV-ja tejet e interesuar për zgjedhjen e presidentit
Lëvizja Vetëvendosje është tejet e interesuar...

Lëvizja Vetëvendosje është tejet e interesuar për zgjedhjen e presidentit të shtetit, për t’i shmangur zgjedhjet e parakohshme. Kështu ka deklaruar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e cila njëherësh ka shprehur keqardhje për tërheqjen e Bekim Sejdiut nga kandidatura për president të shtetit.
“Është vërtetë për të ardhur keq që personalitete të shquara, të cilat janë në gjendje të japin kontributin e tyre për vendin, t’ju pamundësohet një gjë e tillë përtej inateve kryesisht partiake apo të grupeve të ndryshme të interesit. Si Lëvizje, natyrisht se jemi tejet të interesuar që sa më parë të kemi edhe pozitën e presidentit me një president/presidente që do të kryejë këtë detyrë dhe natyrisht çfarë është në mandatin tonë do të vazhdojmë ta bëjmë.”, - deklaroi Arbërie Nagavci nga LVV.
Sa u përket nismave të PDK-së në Gjykatën Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë, nga Vetëvendosje vlerësojnë se kjo është edhe një hap tjetër për ta dërguar Kosovën nga një bllokadë në një bllokadë tjetër.
Gruda: Kurti nuk e kishte seriozisht zgjedhjen e Sejdiut
Por, nga PDK vlerësojnë se konstituimi i Kuvendit nuk mund të përmbyllet pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve, prandaj rrjedhimisht edhe zgjedhja e Qeverisë është kundërkushtetuese. Nga PDK-ja kanë komentuar edhe tërheqjen e Sejdiut.
“Ne kemi qenë të bindur që nga fillimi që zoti Kurti nuk e ka pasur ndërmend të zgjedhë president zotin Sejdiu, por vetëm të krijojë një momentum të ri politik për një lojë të radhës politike.”, - theksoi Përparim Gruda nga PDK.
Lushaku Sadriu: LDK-ja e angazhuar për zgjedhjen e institucioneve
Ndërkohë, partia tjetër opozitare, LDK, thotë se do të vazhdojë të kontribuojë në dialogun institucional për formimin e institucioneve përfshi zgjedhjen e presidentit.
“Prej fillimit LDK-ja ka kontribuuar dhe ka dhënë gjithçka për të pasur zgjidhje për institucionet, ose e ka pasur ose nuk e ka pasur interesin e saj, domethënë interesi ynë si parti politike s’ka qenë i rëndësishëm në këtë rrugëtim, është tepër e rëndësishme që institucionet të bëhen, të konstituohen sa më parë edhe këtë e kemi pasur prioritet. Normalisht që do të kontribuojmë për çfarëdo dialogu që i jep Kosovës një zgjidhje institucionale.”, - u shpreh Jehona Lushaku Sadriu nga LDK.
Pas tërheqjes së Bekim Sejdiut, Lushaku Sadriu tha se deri tani nuk ka pasur bisedime apo iniciativë të re për një kandidat tjetër për president. (Gyltene Sinani, TVM2)
