Kuvendi shqiptar nis procedurat, 40 ushtarakë në misionin e stabilitetit në Gazë
Në komisionet parlamentare po miratohet me procedurë...

Në komisionet parlamentare po miratohet me procedurë të përshpejtuar projektligji për pjesëmarrjen e Shqipërisë në operacionin ushtarak të stabilitetit në Gazë.
“Në operacion të marrin pjesë deri në 40 efektivë të forcave të armatosur të Republikës së Shqipërisë. Detyrat e tyre do të përfshijnë mbështetjen e operacioneve të sigurisë dhe të stabilitetit, mbrojtjen e personelit dhe infrastrukturës së misionit, mbështetjen e operacione humanitare, si dhe monitorimin dhe raportimin e situatës së sigurisë.”, - tha zëvendësministri i Mbrojtjes, Enkelejdi Joti.
Pjesëmarrja e trupave shqiptare do të shoqërohet edhe me kosto për buxhetin e shtetit. Të gjithë ushtarakët që do të marrin pjesë në operacion krahas pagës mujore do të marrin edhe një pagesë ekstra, si dhe do të jenë të mbuluar dhe nga sigurimet e nevojshme.
“Në terma financiarë kostoja për një ushtarak mund të arrijë në një tur gjashtëmujor të tij në vlerën 4 milionë e 1 mijë lekë.”, - tha nënkoloneli Florenc Mihali.
Praktikisht nëse në misionin paqeruajtës në Gazë do të angazhohen 40 ushtarakë për një periudhë gjashtëmujore kostoja në buxhet do të ishte rreth 1.7 milionë euro.
“Do të dërgohet një personel për tre-katër vetash, që do të shërbejnë në shtabin e komandës, e cila do të krijojë kushtet dhe do të koordinojë për të dërguar pjesën tjetër në mision. Nuk do të përfshihemi në detyra luftarake, por thjesht në detyra humanitare.”, - tha kolonel Ernest Resulaj.
Prania e trupave shqiptare në operacionin ushtarak në Gazë është pjesë e angazhimit të vendit në Bordin e Paqes, një nismë e presidentit amerikan Donald Trump. (Luljeta Ndoka, TVM2)
