Maqedoni

Gjykata Kushtetuese nikoqire e konferencës rajonale për rritjen e besimit të publikut

16.09.2026 10:17

Gjykata Kushtetuese, më 16 dhe 17 shtator, do të organizojë konferencën rajonale në Ohër...

Gjykata Kushtetuese, në bashkëpunim me Fondacionin Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), më 16 dhe 17 shtator 2026, në Ohër do të organizojë konferencën rajonale me temë qendrore “Si të rritet besimi i publikut në gjykatat kushtetuese”.
 
Në fokus të konferencës do të jetë ndërtimi dhe forcimi i besimit të publikut në gjykatat kushtetuese, me theks të veçantë në pavarësinë dhe kredibilitetin e gjyqësisë kushtetuese, transparencën, komunikimin me publikun dhe sfidat bashkëkohore me të cilat përballen institucionet në kushtet e zhvillimit të përshpejtuar informativ dhe teknologjik.
 
Konferencën do ta hapin kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr. Darko Kostadinovski, dhe dr. Stefan Pirner, drejtues i Departamentit të Projekteve për Ballkanin Perëndimor pranë IRZ-së.
 
Në kuadër të paneleve të diskutimit do të marrin pjesë kryetarë dhe gjyqtarë të gjykatave kushtetuese të rajonit, mes tyre Mirsad Qeman, kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, mr. Tatjana Vasiq-Bozaxhieva dhe dr. Osman Kadriu, si dhe përfaqësues të gjykatave kushtetuese të Malit të Zi dhe Serbisë.
 
Fjalim do të mbajë edhe Winfried Schubert, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të landit të Brandenburgut dhe ish-kryetar i Gjykatës së Lartë të landit në Naumburg të Gjermanisë, i cili do të flasë për zhvillimin dhe rolin e gjyqësisë kushtetuese gjermane, besimin e publikut, sfidat dhe qëndrueshmërinë institucionale.
 
Në konferencë do të marrin pjesë gjithashtu përfaqësues të IRZ-së, korit diplomatik, komunitetit akademik dhe gjyqtarë.
 
Qëllimi i konferencës është që përmes shkëmbimit të përvojave rajonale dhe evropiane të diskutohen mënyrat se si gjykatat kushtetuese e ndërtojnë dhe e ruajnë besimin e publikut, duke ruajtur njëkohësisht pavarësinë dhe autoritetin e tyre institucional.