Rajon

Tirana zyrtare është solidarizuar me Kosovën, socialistë e demokratë e kundërshtuan vendimin

16.09.2026 15:34

Tirana zyrtare është solidarizuar me Kosovën pas vendimit të Hagës...

Tirana zyrtare është solidarizuar me Kosovën pas vendimit të Hagës për të dënuar 4 ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Presidenti Bajram Begaj e cilësoi të trishtë këtë vendim dhe nënvizoi se askush nuk mund ta njollosë UÇK-në.
 
“Trishtim i thellë për vendimin e sotëm. Vendosmëria për të apeluar vendimin është shenjë e fortë integriteti dhe qëndrueshmërie.”, - deklaroi presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. 
 
Kryeministri Edi Rama u shpreh me një fjalë të vetme “Marre” qëndrimin e tij për vendimin e marrë këtë të mërkurë nga Dhomat e Specializuara. Para verdiktit në Hagë, ishte zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, e cila shkroi se askush nuk do ta rishkruajë dot historinë e lirisë sonë.
 
“Sado të përpiqen të baltosin luftën e një populli për liri, drita e atij agimi nuk mund të mbulohet kurrë. Liria ka emër.”, - theksoi zëvendëskryeministrja, Albana Koçiu. 
 
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, e cilësoi të papranueshëm dhe të pabesueshëm vendimin e Gjykatën Speciale.
  
“Ditë e rëndë për kombin shqiptar, por akoma më e rëndë për njerëzimin dhe botën demokratike. Shqiptarët janë edhe më të fortë pas kësaj padrejtësie dhe turpi të njerëzimit! Askush nuk mund ta bëjë pis luftën e drejtë për lirinë e Kosovës.”, - u shpreh Gazment Bardhi nga PD.
 
Socialisti Erion Braçe bëri thirrje që Tirana dhe Prishtina të ndërmarrin veprime ligjore kundër akuzave dhe këtij procesi. Ai shkruan se kjo është tashmë çështje e çdo shqiptari.
 
“Shqipëria e ndotur masivisht nga ky proces dhe ky vendim duhet të ndërmarrë veprime ligjore të qarta kundër tij! Kosova nuk ka nevojë për mendjen time, por dhe ajo duhet të ndërmarrë veprime ligjore në Kosovë mbi të gjitha dhe kudo, kundër një gjykate, që në emër të popullit të Kosovës bën pis e ndyn një vend, një popull.”, - theksoi deputeti i PS-së, Erion Braçe. 
 
Edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, reagoi nga qelia, duke e quajtur vendimin të padrejtë.
 
LULJETA NDOKA