Ende s’ka marrëveshje për Kodin Zgjedhor

16.09.2026 15:45

Partitë politike ende nuk kanë arritur marrëveshje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor....

Nga një njësi zgjedhore, te votimi i diasporës dhe mënyra e shënimit të fletës së votimit, partitë politike ende nuk kanë arritur marrëveshje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Nga pushteti thonë se presin marrëveshje mes partive. Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, deklaroi se partitë vazhdojnë të punojnë për Kodin Zgjedhor dhe se ka përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje. Nga opozita, ndërkaq, kërkojnë që dialogu për çështjet kyçe të vazhdojë. Nga LSDM-ja thonë se para një vendimi përfundimtar presin hapa konkretë nga pushteti. Ndërkohë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thotë se pjesën që i takon si institucion tashmë e ka përfunduar. 
 
“Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve tashmë i ka dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit propozimet e veta për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Tani, për Kodin Zgjedhor duhet të votohet në Kuvend dhe kjo është përgjegjësi e deputetëve. Presim që ata t’i miratojnë këto ndryshime zgjedhore.”, - deklaroi nënkryetari i KShZ-së, Abdush Demiri. 
 
Tash mbetet që Kuvendi dhe partitë politike të harmonizojnë qëndrimet për ndryshimet e propozuara dhe të përcaktojnë nëse do të ketë marrëveshje për çështjet e hapura. Kodi Zgjedhor është pjesë e agjendës reformuese të vendit, ndërsa ndryshimet e tij prekin drejtpërdrejt mënyrën e organizimit. Por, për KShZ-në, sfidat e procesit zgjedhor nuk lidhen vetëm me ndryshimet ligjore. Një nga çështjet që kërkon vëmendje është edhe pjesëmarrja e grave në procesin zgjedhor.
 
“Edhe pse të dhënat e fundit nga Lista Zgjedhore tregojnë një barazi të plotë gjinore, ku dallimi është vetëm rreth 500 gra më pak se burrat, përsëri shifrat zbulojnë një hendek serioz gjinor në daljen në votime, sipas komunave dhe rajoneve. Prandaj, të dhënat për ne si institucion, janë një udhërrëfyes i qartë për hapat e ardhshëm që duhet t’i ndërmarrë KShZ-ja për largimin e pengesave drejt realizimit të plotë dhe të papenguar të së drejtës së votës për secilën grua.”, - theksoi nënkryetari i KShZ-së, Abdush Demiri.
 
Këto të dhëna do të shërbejnë si bazë për aktivitetet e ardhshme të KShZ-së, të mbështetura nga OSBE-ja, IFES-i dhe Ambasada e Zvicrës përmes Programit për Përkrahje Zgjedhore. Në fokus do të jetë edukimi dhe përfshirja e qytetarëve, me qëllim që procesi zgjedhor të jetë më gjithëpërfshirës dhe e drejta e votës të ushtrohet pa pengesa.
 
FARIJE DAUTI BAKIU