Vendimi i Gjykatës Speciale, qytetarët të pakënaqur u përleshën me policinë
16.09.2026 15:46
Vendimi i Gjykatës Speciale shkaktoi revoltë te qytetarët shqiptarë...

Vendimi i Gjykatës Speciale për t’i shpallur fajtorë ish-krerët e UÇK-së, të cilëve iu shqiptua 81 vite burg, shkaktoi revoltë te qytetarët shqiptarë, të cilët kishin udhëtuar drejtë Hagës, me ç’rast pati edhe përleshje me policinë.
Në mesin e atyre që kishin udhëtuar drejt Hagës pati edhe veteran të UÇK-së, të cilët po ashtu shprehën mospajtim me vendimin që i shpallë fajtorë krerët e UÇK-së.
“Është një vendim i padrejtë, që besoj do të apelohet. Por, ajo që ne sot kemi dëgjuar si çlirimtarë, si popull, mund të themi se ky vendim nuk është në emër të popullit, është një gjykim politik që nuk ka të bëjë me drejtësinë.” – u shpreh veterani i UÇK-së.
Konjufca: Vendimi gjyqësor dëmton Kosovën
I papranueshëm vendimi ishte edhe për shefin e diplomacisë së Kosovës, Glauk Konjufca, i cili tha se një gjykatë nuk mund të marrë vendime të këtilla në emër të popullit të Kosovës, të cilat do të mund të shfrytëzohen nga armiqtë në dëm të shtetit të Kosovës.
“Gjykata në mënyrë të qartë po pretendon që në zemër të UÇK-së, që është shtabi i saj, ka qenë një “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Vërtet e pa falshme, do të shfrytëzohet nga të gjithë armiqtë tanë. Nuk e kam besuar që një gjykatë, e cila flet në emër të popullit të Kosovës, të marrë këso vendimesh.”, - theksoi ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca.
Hoxhaj: Kjo është një ditë e zymtë për Kosovën
Një ditë e zymtë për Kosovën. Kështu e vlerësoi vendimin Enver Hoxhaj nga PDK, i cili po ashtu ishte në Hagë.
“Jemi të bindur që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë qenë të pafajshëm edhe para 30 viteve, edhe dje, janë të pafajshëm edhe sot. Do të mbeten të pafajshëm përgjithmonë në historinë e popullit shqiptar, në zemrat e qytetarëve të Kosovës dhe kjo se çfarë ndodhi sot është një ditë më e zezë që e ka pasur ndonjëherë populli shqiptar prej çlirimit, prej pavarësisë në ditët e sotme.”, - u shpreh Enver Hoxhaj nga PDK.
Familjarët: U dënuan njerëzit me dëshmi të rrejshme
Me keqardhje e kanë pranuar dënimin edhe familjarët e të dënuarve. Vëllai i Jakup Krasniqit, të cilit iu shqiptua dënimi prej 25 vjetësh heqje lirie, tha se nuk i beson fare kësaj gjykate.
“Kam qenë skeptik edhe më herët, po tash nuk mundem t’i besoj asnjë fije, për arsye se dënohen njerëz veç me fjalë, me dëshmitarë të rrejshëm. Është e pakuptimtë, por nuk është në dorën tonë. Por, më e keqja është që po bëhet në emër të popullit të Kosovës, për keqardhje, por nuk mund t’i ndryshojmë.”, - theksoi vëllai i Jakup Krasniqit, Avdyl Krasniqi.
Mospajtim me vendimin kanë shprehur edhe avokatët mbrojtës, të cilët kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin, pasi ata kanë shprehur pakënaqësi me mënyrën se si është trajtuar çështja gjatë procesit, ndërsa kanë theksuar edhe mungesën e dëshmive të mjaftueshme për akuzat me të cilat ngarkohen ish-krerët e UÇK-së.
GYLTENE SINANI
