Gjykata Speciale në Hagë sot dha vendimin
16.09.2026 15:47
Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë shpalli aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës...

Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë shpalli aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, respektivisht, në total 81 vjet burgim për ish-krerët e UÇK-së.
Hashim Thaçi u dënua me dënim të njehsuar prej 25 vjetësh burgim: për arrestim dhe ndalim të paligjshëm arbitrar, krim lufte, trajtim mizor dhe vrasje të paligjshme.
“Në emër të popullit të Kosovës, për arsye të shtjelluara në aktgjykim dhe të përmbledhura më lartë dhe pasi ka shqyrtuar të gjitha provat dhe argumentet e palëve dhe mbrojtjes së viktimave, trupi gjykues në bazë të neneve 43 dhe 44, ju shpall juve, Hashim Thaçi, fajtor për pikën tre, arrestim të paligjshëm, arbitrash si krim lufte…Trupi gjykues ju dënon me dënim të njehsuar me 25 vjet burgim, në të cilin llogaritet koha e kaluar në paraburgim.”, - deklaroi kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith.
25 vjet burg edhe për Jakup Krasniqin.
“Ju shpall juve, Jakup Krasniqi, fajtor për pikën 3, arrestim, ndalim të paligjshëm ose arbitrazh, krim lufte, sipas nenit 16 1A të ligjit, të kryer kundër së paku 385 personave… Pika 5 - trajtim çnjerëzor të kryer së paku kundër 49 personave.”, - theksoi kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith.
Për Kadri Veselin, trupi gjykues ka shqiptuar dënimin e njehsuar prej 18 vjetësh burgim për sjelljen kriminale në tërësi.
“Trupi Gjykues ju dënon me një dënim të njehsuar me 18 vjet burgim.”, - u shpreh kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith.
Me dënim më të ulët në këtë vendim gjyqësor ka dalë Rexhep Selimi. Për të Haga dha 13 vjet burgim.
“U shpall juve fajtor, Rexhep Selimi, për arrestim dhe ndalim të paligjshëm, si krime lufte, të kryer së paku kundër 385 personave dhe trajtim mizor, krime lufte kundër së paku 49 personave.”, - theksoi kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith.
Në këto dënime llogaritet edhe koha që tashmë të dënuarit kanë kaluar në paraburgim. Gjykata Speciale njëkohësisht ka konstatuar se nuk ka pasur krime kundër njerëzimit nga katër udhëheqësit e UÇK-së. Po ashtu kryetari i Trupit Gjykues tha se kjo çështje gjyqësore nuk ka të bëjë me legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe synimin e saj për Kosovë të pavarur, por me faktet dhe rrethanat të lidhura me akuzat kundër të akuzuarve në këtë çështje gjyqësore. Aktgjykimi i shpallur sot është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ta apelojnë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
