Botë

Kurti dhe Haxhiu: Dënimi i krerëve të UÇK-së dëmton Kosovën

16.09.2026 16:50

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ashpër pas shpalljes së aktgjykimit...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ashpër pas shpalljes së aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar vendimin si padrejtësi të papranueshme dhe ndëshkim të madh e të dëmshëm për vet shtetin e Kosovës. 
 
“Shpallja fajtorë dhe dënim kaq i rëndë për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm. Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit. Ky proces nuk ishte gjykim për legjitimitetin apo pastërtinë e luftës së UÇK-së. Gjithashtu nuk u konstatua as kushti më themelor për krime kundër njerëzimit. Përfundimet dënuese lidhen me akuza të caktuara për krime lufte, përfshirë torturën e personave të konsideruar bashkëpunëtorë të regjimit serb. Këto janë konstatime të padrejta, por nuk janë përfundimtare dhe do t’i nënshtrohen shqyrtimit në apel.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe ushtruese e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar dënimet si një ditë të rëndë për Republikën e Kosovës dhe kombin shqiptar. 
 
“Mendimet e mia janë, para së gjithash, me familjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Prej vitesh ata mbajnë barrën e mungesës, pritjes dhe pasigurisë. Dënimet e sotme e bëjnë këtë barrë edhe më të rëndë.”, ka theksuar Haxhiu duke shtuar se fjala e fundit juridike nuk është thënë. 
 
Haradinaj dhe Limaj: Vendimi dënues për UÇK-në, i papranueshëm
 
E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht. Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, njëherësh edhe ish-epror i UÇK-së, ashtu si edhe bashkëluftëtari i tij, Fatmir Limaj, të cilët po ashtu ishin përballur me një proces të ngjashëm gjyqësor në Hagë, janë shprehur të tronditur me dënimet ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
 
“Jo në emrin tim, jo në emrin e popullit të Kosovës vendim dënues për UÇK-në. Vendimi i ditës së sotme i papranueshëm dhe i padrejtë.”, - u shpreh ish-eprori i UÇK-së, Ramush Haradinaj.
 
“Sot morëm lajme të këqija nga Haga, të papritura, të padrejta, të pamerituara. Sot u shpall aktgjykimi dënues i shkallës së parë për themeluesit e UÇK-së për themeluesit e shtetit të Kosovës. Ky aktgjykim është i padrejtë, i papranueshëm. Jo në emër të popullit të Kosovës, jo në emrin tim.”, - deklaroi ish-eprori i UÇK-së, Fatmir Limaj. 
 
PDK dhe LDK: Haga goditi luftën për liri të popullit të Kosovës
 
Partia Demokratike e Kosovës, të cilën dikur e drejtonin Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, shprehu indinjatë, zhgënjim dhe kundërshtim për aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë. 
 
“Sot në Hagë u godit rëndë e drejta e popullit tonë që luftoi për liri, mbijetesë dhe çlirim nga regjimi shtetëror serb që vrau, dëboi dhe terrorizoi shqiptarët e Kosovës. Për ne, ky aktgjykim është një padrejtësi e madhe, sepse mbështetet në pretendime e materiale që i konsiderojmë të fabrikuara dhe të ushqyera ndër vite nga aparati shtetëror dhe propaganda e Serbisë për ta kriminalizuar luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky aktgjykim mund të jetë shkruar në Hagë. Por, historia e Kosovës është shkruar këtu, me sakrificë, gjak dhe luftë për liri. Dhe ajo nuk rishkruhet sot.”, theksojnë nga PDK. 
 
Ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, duke theksuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i rezistencës politike e paqësore, luftës së UÇK-së dhe mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë. 
 
“Asnjë aktgjykim, as ky i sotmi, nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Regjimi i Serbisë ushtroi gjenocid e krime kundër njerëzimit; zhvilloi një fushatë të egër terrori dhe spastrimi etnik në Kosovë; masakroi civilë të pafajshëm, vrau fëmijë, gra e të moshuar, ushtroi dhunë, dëboi me forcë popullsinë dhe dogji e shkatërroi fshatra e qytete të tëra. Këto krime ishin sistematike, pasojat e të cilave rëndojnë edhe sot mbi mijëra familje. Përballë kësaj egërsie, populli i Kosovës luftoi për mbijetesë dhe liri. Djemtë e vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbrojtën pragun e shtëpisë.”, theksojnë nga LDK. 
 
Pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, mijëra qytetarë të mbledhur në sheshet e Prishtinës kanë shkuar drejt zyrave të EULEX-it, ku janë shënuar tensione mes turmës dhe Policisë së Kosovës. 
 
GYLTENE SINANI