Paratë për festën e pavarësisë, Prokuroria dhe KShPK-ja analizon rastin

16.09.2026 16:53

Prokuroria po analizon ende se a do të hapë hetim...

Prokuroria po analizon ende se a do të hapë hetim për financimin e festës për shënimin e 35-vjetorit të pavarësisë. Nëse ka baza për atë, prokuroria do të veprojë, tha kryeprokurori Savevski. 

“Për secilën situatë, përfshirë edhe këtë situatë, Prokuroria Publike e analizon dhe e vlerëson në aspekt penalo-juridik dhe nëse gjen baza për atë, sigurisht që do të veprojë.”, - deklaroi kryeprokurori, Nenad Savevski.

Festa për shënimin e 35-vjetorit nën lupë edhe të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Nga atje thonë se lëndë konkrete nuk është hapur, por ka lëndë për mundësinë e konfliktit të interesave.

“KShPK-ja i ndjek reagimet e opinionit, kërkesat për transparencë të shpenzimit të parave publike dhe rasti po ndiqet. Gjithashtu potencojmë se po i ndjek reagimet në opinion dhe besojmë që edhe orgenet tjera, para së gjithash organet hetuese, e ndjekin rastin dhe nëse vlerësojnë se ekzistojnë parregullsi eventuale mund të hapin procedura në kuadër të kompetencave të tyre.”, - theksoi zëvendëskryetari i KShPK-së, Besnik Xhemaili.

LSDM-ja kërkon hetim, VMRO-DPMNE-ja me kundërakuza

Nga LSDM-ja me akuza se Qeveria po e fsheh të vërtetën nga qytetarët. Kërkojnë nga Prokuroria të hapë hetim për paratë që u shpenzuan për festën e pavarësisë.

“Qytetarët e paguan faturën e Mickoskit dhe kanë të drejtë të dinë se ku ka përfunduar çdo denar. Prandaj, Prokuroria Publike duhet të hapë menjëherë lëndë. Duhet të ndjekë rrjedhën e parave, të sigurojë të gjitha dokumentet, faturat, kontratat dhe pagesat. Duhet të përcaktojë se si janë marrë vendimet, kush i ka marrë dhe kush ka përfituar prej tyre.”, - u shpreh Maja Serafimovska Borozan nga LSDM.

VMRO-DPMNE-ja u përgjigj me kundërakuza, duke thënë se LSDM-ja dhe BDI-ja janë të mbrojtur nga gjykatësit e tyre të instaluar në gjyqësor.

“Për qytetarin e zakonshëm vlen ligji, ndërsa kur arrihet te njerëzit dhe interesat e lidhura me LSDM-në dhe BDI-në, te njerëzit e tyre të instaluar në drejtësi, menjëherë vihet në mbrojtje e tyre. Kjo është drejtësia që lanë pas dhe që e premtuan LSDM-ja dhe BDI-ja. Prandaj, qytetarët nuk kanë besim në sistemin e drejtësisë.”, - theksoi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.

Sipas Qeverisë, festa është organizuar nga kompani me përgjegjësi shoqërore dhe se nga arka shtetërore nuk është shpenzuar asnjë denar. (Ersan Pajaziti, TVM2)