Maqedoni
Vazhdojnë negociatat për zgjidhjen e krizës, 4 liderët në takim me ambasadorët, Bejli dhe Orav
19.06.2015 13:33
Sot në Shkup mbahet takimi i radhës për negociatat mbi zgjidhjen e krizës politike në vend...

Në takim pritet të jenë të pranishëm ambasadori amerikan, Jess Baily, dhe ambasadori i BE-së, Aivo Orav.
Edhe kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, e ka konfirmuar takimin, duke thënë: “Në kuadër të këtij takimi do të shpalosim dhe një datë të rëndësishme.
Por do të publikojmë edhe afatet si do të lëvizin gjërat”. Këto negociata vijnë pas dështimit të atyre të 10 qershorit në Bruksel, kur liderët e katër partive më të mëdha në vend nuk arritën një marrëveshje.
Këto parti në parim kanë rënë dakort se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme më 2 prill 2016, por deri atëherë duhet të realizohen disa detyrime lidhur me planin e reformave dhe integrimeve euroatlantike.
Bisedimet mes 4 partive politike për dalje nga kriza pritet që javën e ardhshme të vazhdojnë në Bruksel.
4 liderët e partive politike kanë shprehur gatishmëri për të tentuar edhe një herë tjetër arritjen e kompromisit për dalje nga kriza.
Deri tani nuk ka një datë konkrete, por jozyrtarisht merret vesh se palët parimisht janë pajtuar që takimi të zhvillohet në fillim të javës tjetër.
Kryeministri Gruevski theksoi se data e bisedimeve të reja varet nga më tepër faktorë.
