Kumanovë, fillon rikonstruimi i fushës ndihmëse të KF “Bashkimi”
Së shpejti KF "Bashkimi" nga Kumanova...

Së shpejti KF "Bashkimi" nga Kumanova do të bëhet edhe me një terren modern stërvitor. Kjo falë një projekti të Ministrisë së Sportit në vazhdën e përmirësimit të kushteve në funksion të zhvillimit dhe avancimit të cilësisë së futbollit. Për këtë qëllim në nismën e punimeve për rikonstruimin e terrenit ndihmës të KF "Bashkimi" morën pjesë edhe ministri Borko Ristovski dhe zëvendësministrja Safije Sadiki Shahini.
“Siç e shihni, veçse kemi filluar me punimet për rikonstruimin e këtij stadiumi. Ky ka qenë një ndër projektet e kërkuara të kamotshme të qytetarëve dhe sportdashësve të Kumanovës, mirëpo më herët asnjëherë nuk u realizua, edhe pse shumë u premtua nga mandatet e kaluara, kurse ne e premtuan para 1 viti dhe ja tani po fillojmë ta realizojmë këtë premtim. Së shpejti për një kohë shumë të shkurt ky stadium falë rikonstruimit, do t’i plotësojë të gjitha kushtet që u nevojiten sportistëve.”, - deklaroi zëvendësministrja për Sport, Safije Sadiki Shaini.
“Jemi të kënaqur, sepse kemi shumë vite që e presim këtë investim e që nuk u realizua asnjëherë. Ne jemi munduar si klub ta mbajmë terrenin së bashku me trajnerët, qytetarët, tani këta që e dhanë premtimin edhe po e mbajnë, pasi që, ja po shihet, sepse punët veç më filluan.”, - theksoi pronari i KF ”Bashkimi” Kumanovë, Burak Hida.
Terreni ndihmës do të posedojë tribuna, zhveshtore, ndriçim dhe pajisje tjera të nevojshme. I njëjti pritet të përfundojë brenda një muaj e gjysmë. (Fatlum Aqifi, TVM2)
