Maqedoni
Kamera trupore për doganierët, 30 kamera në Tabanoc për më shumë transparencë
17.09.2026 11:11
Kamera bashkëkohore mobile, të vendosura në veshjet e doganierëve, tani e tutje do të monitorojnë punën e tyre...

Kamera bashkëkohore mobile, të vendosura në veshjet e doganierëve, tani e tutje do të monitorojnë punën e tyre, por edhe sjelljen e udhëtarëve, transportuesve dhe operatorëve ekonomikë në pikat kufitare Tabanoc, Bllacë dhe Qafë Thanë. Gjithsej 30 kamera të tilla trupore janë vënë në dispozicion në këtë pikë kufitare, me qëllim forcimin e transparencës, integritetit dhe standardeve profesionale në punën e nëpunësve doganorë. Përdorimi i tyre pritet të rrisë përgjegjshmërinë në pikat kufitare dhe të kontribuojë në parandalimin e korrupsionit dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme.
“Me këtë teknologji të re presim të arrijmë mbrojtje më të madhe. Kamera trupore është mbrojtje si për qytetarët, ashtu edhe për nëpunësit doganorë. Ajo krijon një regjistrim objektiv të veprimit zyrtar, që do të thotë se, kur nëpunësi ynë vepron në mënyrë ligjore, profesionale dhe të përgjegjshme, ekziston edhe një konfirmim objektiv për punën e tij. Në të njëjtën kohë, qytetari ka një garanci shtesë se procedura zhvillohet në përputhje me rregullat. Kjo është mbrojtje për të dyja palët në procedurë. Kamerat do të regjistrojnë çdo sjellje të mundshme të papërshtatshme, qoftë nga nëpunësi doganor, por edhe sjelljen e udhëtarëve, transportuesve dhe operatorëve ekonomikë.”, - deklaroi drejtori i Drejtorisë së Doganave, Boban Nikollovski.
Sistemi i kamerave të reja është siguruar si donacion përmes Programit Ndërkombëtar të Trajnimit dhe Ndihmës për Hetime Penale pranë Ministrisë së Drejtësisë së ShBA-së. Ambasadorja e ShBA-së në Shkup, Nikol Varns, tha se dorëzimi i këtyre kamerave është dëshmi e përkushtimit amerikan se institucionet e forta janë thelbi dhe baza e një shoqërie më prosperuese.
“Politikat e ShBA-së për ndihmën e huaj janë të qarta. Ajo duhet të japë rezultate, të promovojë vetëqëndrueshmërinë dhe të sigurojë që burimet amerikane po përdoren në mënyrë efikase dhe strategjike. Përmes këtij donacioni synojmë forcimin e institucioneve demokratike, luftimin e korrupsionit dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik. Kamerat mobile do ta ndihmojnë Drejtorinë e Doganave të përmirësojë transparencën, të parandalojë aktivitetet e paligjshme dhe të ndërtojë dhe përforcojë besimin e opinionit. Qëllimi ynë i përbashkët kyç është lufta kundër trafikimit të drogës dhe qenieve njerëzore, si dhe krimit të organizuar.”, - theksoi ambasadorja e ShBA-së në Shkup, Nikol Varns.
Ky projekt është mbështetur edhe nga Ministria e Financave, ndërsa të gjithë nëpunësit doganorë tashmë janë trajnuar për përdorimin e sistemit të ri të kamerave, tha me këtë rast Nikollovski.
REXHEP QAMILI
