Botë
Mediat ndërkombëtare për vendimin në Hagë, dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, jehonë në mediat botërore
17.09.2026 13:55
Vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka marrë vëmendje të gjerë në mediat prestigjioze ndërkombëtare...

Vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, ka marrë vëmendje të gjerë në mediat prestigjioze ndërkombëtare. Reuters, Associated Press (AP), Agjencia Franceze e lajmeve (AFP), Al Jazeera, The Guardian, Le Monde, The Washington Post dhe Deutsche Welle raportojnë për aktgjykimin dhe reagimet që pasuan në Kosovë. Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 vjet, Rexhep Selimi me 13 vjet dhe Jakup Krasniqi me 25 vjet burgim. Gjykata i ka shpallur fajtorë për vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar, ndërsa gjashtë pika të tjera të aktakuzës, që lidhen me krime kundër njerëzimit, janë rrëzuar.
The Guardian e vendos theksin te roli i Thaçit si një prej figurave kryesore të UÇK-së dhe më pas në politikën e Kosovës, duke theksuar reagimet e forta të mbështetësve të ish-krerëve të UÇK-së. Gazeta nënvizon gjithashtu se gjykata nuk e konsideroi të provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se sulmet ndaj civilëve përbënin një fushatë të gjerë ose sistematike, duke rrëzuar kështu akuzat për krime kundër njerëzimit në disa pika.
Reuters dhe AP raportojnë për reagime të forta në Kosovë, përfshirë protesta dhe pakënaqësi ndaj vendimit. Reuters përcjell edhe reagimet politike në Prishtinë, ndërsa AP vë në dukje se mbështetësit e të dënuarve i konsiderojnë ata figura kombëtare dhe kanë kundërshtuar aktgjykimin. Raportimet theksojnë gjithashtu se vendimi mund të ndikojë në debatin politik në Kosovë dhe në marrëdhëniet me Serbinë.
AFP dhe gazeta franceze Le Monde e paraqesin aktgjykimin si një moment të rëndësishëm në procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Le Monde vë në pah se Thaçi, i cili në kohën e ngritjes së aktakuzës ishte president i Kosovës, dha dorëheqjen dhe u transferua në Hagë. Të dyja mediat theksojnë peshën politike dhe simbolike që rasti ka në Kosovë, ku Thaçi dhe ish-krerët e tjerë vazhdojnë të konsiderohen nga shumë qytetarë si figura qendrore të luftës dhe të shtetndërtimit të pasluftës.
Washington Post dhe Deutsche Welle e përshkruajnë vendimin si një moment të rëndësishëm për një gjykatë të krijuar posaçërisht për të trajtuar akuzat për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së. Raportimet rikujtojnë se procesi ka qenë veçanërisht i ndjeshëm për Kosovën, ku gjykata ka qenë prej kohësh objekt debatesh dhe kritikash.
Në tërësi, Reuters, AP, AFP, Al Jazeera, The Guardian, Le Monde, Washington Post dhe Deutsche Welle e trajtojnë vendimin kryesisht në kuadër të përgjegjësisë penale individuale. Mediat ndërkombëtare nënvizojnë se aktgjykimi nuk përbën një gjykim mbi pavarësinë e Kosovës apo mbi vetë luftën e UÇK-së, por mbi përgjegjësinë e individëve për krimet për të cilat janë shpallur fajtorë. Raportimet gjithashtu kujtojnë se bëhet fjalë për një vendim të shkallës së parë dhe se të dënuarit kanë të drejtë ankese.
FARIJE DAUTI BAKIU
