Botë

Trump-i kërcënon Evropën me një luftë tregtare

17.09.2026 14:44

Presidenti amerikan Donald Trump e ka kërcënuar Evropën me një luftë tregtare..

Presidenti amerikan Donald Trump e ka kërcënuar Evropën me një luftë tregtare, nëse Kanadaja bëhet “anëtare e asociuar” e Bashkimit Evropian. Ai paralajmëroi vendosjen e tarifave të larta ndaj produkteve evropiane, madje edhe kufizimin e tregtisë me Evropën, duke e cilësuar një hap të tillë të Brukselit si një veprim të mundshëm armiqësor ndaj Shteteve të Bashkuara.
 
“E gjithë kjo çështje me Kanadanë është qesharake. Nëse Evropa e bën këtë me qëllim të keq, do të vendosim tarifa shumë të larta ndaj tyre. Madje është e mundur që të ndalojmë tregtinë me Evropën në shumë fusha.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Trump. 
 
Otava synon të thellojë marrëdhëniet me Evropën dhe të ulë varësinë nga tregu amerikan, pasi Uashingtoni ka vendosur tarifa prej 50 për qind ndaj produkteve kanadeze. Pavarësisht kërcënimeve të Trump-it, kryeministri kanadez Mark Carney, në fjalimin e tij para Parlamentit Evropian, mbështeti forcimin e bashkëpunimit me BE-në. 
 
“Evropa dhe Kanadaja janë të forta veçmas. Evropa dhe Kanadaja janë edhe më të forta së bashku. Ne nuk kërkojmë fuqi për të dominuar të tjerët. Përkundrazi, po ndërtojmë qëndrueshmëri, në mënyrë që askush të mos mund të kontrollojë tregjet tona të hapura, të cenojë sovranitetin tonë apo të dobësojë lirinë, demokracinë dhe shtetin e së drejtës.”, - theksoi kryeministri i Kanadasë, Mark Carney. 
 
Nga Brukseli theksojnë se forcimi i partneritetit me Otavën nuk është i drejtuar kundër Shteteve të Bashkuara, por synon rritjen e fuqisë dhe qëndrueshmërisë së përbashkët.
 
“Nuk i takon ShBA-së, e as ndonjë vendi tjetër, të përcaktojë drejtimin politik dhe gjeopolitik të evropianëve. Për më tepër, ne kemi marrëdhënie me Kanadanë dhe kemi të drejtë të plotë që t’i thellojmë ato.”, - u shpreh ministri francez për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad.
 
Statusi i “anëtarit të asociuar” aktualisht nuk ekziston në kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian. Për krijimin e tij do të nevojiteshin negociata të mëtejshme dhe miratimi i vendeve anëtare.
 
GAZMEND KURTISHI