Mustafa: Pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara, Kosova të shmangë vendimet emocionale

17.09.2026 15:00

Aktgjykimi i shkallës së parë të Dhomave të Specializuara....

Aktgjykimi i shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ka nxitur mllef dhe reagime të shumta në opinionin mbarëshqiptar, ndërsa në skenën politike janë rikthyer nismat e propozimet për rishikimin apo zhbërjen e gjykatës.

Sidoqoftë, njohësit e çështjeve juridike e politike rikujtojnë se kjo gjykatë është pjesë e kornizës kushtetuese të vetë Kosovës dhe se përballja me këtë moment kërkon gjakftohtësi e jo vendime emocionale.

"Fillimisht duhet të theksojmë se statusi i Dhomave të Specializuara të Gjykatës së Hagës për Kosovën nuk është një trup i huaj, por duhet të shihet nga prizmi institutional e jo emocional, siç na ka kapluar të gjithë neve, në rend të parë qytetarët e Kosovës, por edhe institucionet e Kosovës. Faktikisht këto dhoma janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës, të implementuara nga institucionet sovrane e demokratike të Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese, me qëllim që të zbardhet drejtësia e kërkuar për qytetarët e Kosovës.", - deklaroi juristi, Milazim Mustafa.

Përveç anës institucionale, vëmendja kryesore e mbrojtjes tani vendoset te shkalla e dytë. Sa i përket iniciativave për zhbërjen e gjykatës përmes amendamenteve kushtetuese, ekspertët vlerësojnë se Kosovës i kërkohet maturi për të mos cenuar stabilitetin juridik e ndërkombëtar të shtetit.

"Pa dyshim se ekziston tash edhe e drejta e apelit, ku besoj se avokatët e profesionalizuar të katër personave, të udhëheqësve të UÇK-së, të cilët u dënuan sot, do të analizojnë mirë vendimet që do të merren dhe do të përqendrohen në pikat të cilat ata i kanë prezentuar edhe gjatë seancës së shkallës së parë. Për çështjen e ndryshimeve kushtetuese nevojitet një shumicë më e madhe, por unë mendoj se institucionet e Kosovës do të tregojnë pjekuri dhe do të presin vendimin e shkallës së dytë të Dhomave të Specializuara.", - theksoi juristi, Milazim Mustafa.

Në këtë udhëkryq ndërmjet revoltës qytetare dhe detyrimeve shtetërore, sipas Mustafës, Kosovës i kërkohet pjekuri politike për të mbrojtur narrativën e luftës çlirimtare përmes rrugës ligjore në shkallën e dytë të gjykimit. (Ersan Pajaziti, TVM2)