Maqedoni
Gjuetia në Parkun Kombëtar të Mavrovës, shoqatat kërkojnë më shumë kontroll dhe mbrojtje
17.09.2026 15:15
Gjuetia e kafshëve të egra në Parkun Kombëtar të Mavrovës dhe trajtimi i tyre si trofe kanë shkaktuar reagime nga shoqëria civile....

Gjuetia e kafshëve të egra në Parkun Kombëtar të Mavrovës dhe trajtimi i tyre si trofe kanë shkaktuar reagime nga shoqëria civile. Në një video të publikuar në YouTube, një gjahtar i huaj dhe një punonjës i institucionit publik “Parku Kombëtar i Mavrovës“ shfaqen duke gjuajtur kafshë të egra, duke u prerë brirët dhe duke i marrë me vete si trofe, ndërsa në video shihet edhe konsumimi i gjakut të kafshëve. Shoqatat civile vlerësojnë se aktivitete të tilla nuk duhet të lejohen në një zonë ku mbrojtja e pasurive natyrore duhet të garantohet përmes mbikëqyrjes dhe kontrollit të rreptë shtetëror. Për këtë arsye, 20 shoqata të shoqërisë civile i kërkojnë Qeverisë dhe ministrisë përkatëse që Mavrova të rishpallet park kombëtar dhe të rritet kontrolli.
“Është e qartë se në periudhën e kaluar në Mavrovë po zhvillohen aktivitete që nuk janë të mbuluara me ligj. Këto duhet të rregullohen urgjentisht, pasi mbrojtja e kësaj zone të mbrojtur dhe e trashëgimisë kulturore dhjetëravjeçare është në interesin tonë të përbashkët.”, - deklaroi Marko Guçevski nga Shoqata “Eko-Svest”.
Sipas organizatës "Eko-Svest", është alarmante që autoritetet nuk kanë kthyer asnjë përgjigje dhe as nuk kanë kërkuar një inspektim për parkun kombëtar më të vjetër në Evropë. Kjo ndodh me gjithë rekomandimet e organizatave ndërkombëtare, veçanërisht të Komisionit të Bernës pranë Këshillit të Evropës për ndalimin e projekteve energjetike, si ato në Urën e Boshkovit, Fusha e Lukovës dhe hidrocentralin në Ribniçka.
“Duhet të kemi një Agjenci për Mjedisin ose një Agjenci për Natyrën, e cila të ketë staf profesional që merret me monitorim, restaurim, si dhe me hartimin e programeve e projekteve. Me pak fjalë, ta bëjnë punën profesionalisht në terren, e jo të merren vetëm me pjesën e ligjeve, planeve e letrave.”, - theksoi Ana Çolloviç Leshoska nga Shoqata “Eko-Svest”.
Shoqatat e shoqërisë civile apelojnë që mbrojtja e Parkut Kombëtar të Mavrovës nuk mund të shtyhet më. Institucionet duhet të marrin përsipër përgjegjësinë e tyre ligjore.
BELINDA KOKA ADEMI
