Gazi Babë, hapet zyra e re “Një pikë për shërbime”, banorët do të marrin mbi 300 shërbime elektronike
Në Shtëpinë e Kulturës në Hasanbeg...

Në Shtëpinë e Kulturës në Hasanbeg është hapur zyrtarisht zyra e re administrative “Një pikë për shërbime” (ETU Gazi Babë), një projekt që synon lehtësimin e procedurave burokratike dhe digjitalizimin e shërbimeve publike për banorët e kësaj komune.
Kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, ishte qytetari i parë që shfrytëzoi këtë qendër, duke nxjerrë dokumentin për evidencën e përvojës së punës.
Në këtë hapësirë të re, qytetarët do të kenë mundësi të marrin udhëzime, informacione dhe mbështetje direkte për shfrytëzimin e 338 shërbimeve elektronike që ofrohen përmes portalit kombëtar uslugi.gov.mk.
Kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, theksoi rëndësinë e këtij projekti për lehtësimin e përditshmërisë së qytetarëve.

“Qëllimi është që të afrojmë institucionet pranë banorëve të Gazi Babës. Falënderoj ministrin që e mbështeti iniciativën tonë dhe na mundësoi që të kemi një zyrë të këtillë, me qëllim që t’u mundësojmë qytetarëve që ta kenë më të lehtë çdo ditë. T’u mundësojmë qytetarëve që t’i kenë në një vend shërbimet e tyre elektronike, në vend që të shkojnë në më shumë institucione dhe vërtet kjo është një praktikë e mirë dhe shpresoj që periudhën e ardhshme do të kemi mundësi të hapim një zyrë tjetër në Komunën e Gazi Babës.”, - deklaroi kryetari i Gazi Babës, Boban Stefkovski.

“Kam folur disa herë për rëndësinë e qendrave për shërbime, sepse kjo na mundëson qasjen më të lehtë deri të qytetarët, shfrytëzimin e shërbimeve elektronike, të portalit për shërbime, duke e sjellë atë më afër atyre që nuk kanë mundësi të përdorin pajisje digjitale në shtëpi, nuk i kanë mjetet, nuk dinë ose nuk duan t'i përdorin ato. Kjo është një mënyrë për t'iu afruar atyre, në mënyrë që qytetarët të mund ta marrin shërbimin më shpejt, më me efikasitet, pa pritur në radhë, pa u endur nga një sportel në tjetrin.”, - theksoi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.
Stefkovski po ashtu nënvizoi se digjitalizimi ka kuptim vetëm atëherë kur ua lehtëson jetën njerëzve, duke sjellë më pak detyrime administrative dhe institucione më afër qytetarëve. Synimi kryesor i hapjes së kësaj zyre është shkurtimi i kohës së nevojshme për kryerjen e punëve administrative dhe eliminimi i nevojës për të vizituar institucione të ndryshme për një dokument. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)
