Maqedoni
Matura shtetërore, nuk ka vërejtje për mënyrën e realizimit, nxënësit preferojnë shkencat shoqërore
19.06.2015 14:15
Nxënësit e viteve të katërta të shkollave të mesme sot iu nënshtruan pjesës së fundit të maturës shtetërore...

Në Gjimnazin “Zef Lush Marku”, nxënësit kishin në dispozicion 2 orë e gjysmë për t’u përgjigjur në testet nga lënda e biologjisë, historisë dhe filozofisë. Përgjegjësit thonë se nuk janë regjistruan parregullsi gjatë realizimit të testimit.
“Parregullsi nuk kishte, vetëm disa gabime teknike të cilat u evituan menjëherë. Testimi filloi në kohë, testatorët ishin aty dhe deri më tani nuk kishte asnjë incident”- deklaroi ndihmësdrejtori, Abil Baush.
Edhe këtë vit vazhdon trendi i njëjtë. Nxënësit preferojnë të vazhdojnë studimet në shkencat shoqërore, duke anashkaluar ato natyrore.
“Nxënësit janë të interesuar që të vazhdojnë mjekësinë dhe shkencat shoqërore, si fakultetin ekonomik dhe juridik, sepse në biologji janë testuar 251 nxënës, ndërsa në histori 355 nxënës në këto lëndë kanë dashur të testohen”- tha ndihmësdrejtori, Abil Baush.
Nxënësit u shprehën të kënaqur nga testimi dhe bënë të ditur se nuk kanë asnjë vërejtje për mënyrën e realizimit.
“Testi ishte i lehtë, ishin ato që i kemi mësuar gjatë vitit. Kemi pasur edhe dy teste në gjuhë shqipe dhe angleze, dhe nuk ka pasur parregullsi”- u shpreh një nxënëse.
“Ka qenë testi në përputhje me materialin e mësuar dhe kjo është edhe parakusht për parapërgatitje për fakultet”- tha një nxënës.
“Sot jemi testuar në lëndën e biologjisë. Parregullsi nuk ka pasur, pyetjet kanë qenë nga materiali i përvetësuar dhe mendoj të regjistrohem në ekonomi”- theksoi një nxënëse.
Matura shtetërore është parakusht për regjistrim në fakultet, sepse përveç suksesit, 40% nga pikët merren nga rezultatet e treguara në maturë shtetërore.
FLUTURA LATIFI
