Mickoski nga ShBA: Mundësi të reja për investime dhe partneritet

17.09.2026 17:44

Në kuadër të vizitës në Uashington...

Në kuadër të vizitës në Uashington, kryeministri Hristijan Mickoski, së bashku me delegacionin qeveritar ka realizuar takime të rëndësishme me përfaqësues të institucioneve amerikane, Kongresit dhe sektorit ekonomik, ku në fokus ka qenë thellimi i partneritetit strategjik ndërmjet dy shteteve, si dhe hapja e mundësive të reja për bashkëpunim ekonomik dhe investime, njoftojnë nga Qeveria.

“Diskutuam për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe hapjen e perspektivave të reja për investime në Maqedoni, veçanërisht në fusha strategjike si energjetika, teknologjitë e larta dhe infrastruktura moderne. Qëllimi ynë është që përmes partneritetit të fuqishëm strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të krijojmë mundësi të reja për zhvillim ekonomik, tërheqje të investimeve dhe standard më të mirë jetese për qytetarët.”, shkruan Mickoski në Facebook.

Ai ka zhvilluar takim edhe me Caroline Vik, drejtoreshë kryesore për politikat dhe ushtruese e detyrës së drejtoreshës kryesore për zhvillim në Korporatën Amerikane për Financim të Zhvillimit Ndërkombëtar.

Në takim është diskutuar për mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dhe investimet e mundshme në Maqedoni në disa fusha.

Vendi ynë është në fokus të bisedimeve të Mickoskit edhe me kongresmenë të ndryshëm amerikan. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)