Vendimi dënues në Hagë për krerët e UÇK-së, Vuçiqi kundërshton reagimin e Salit dhe Gashi

17.09.2026 17:48

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq...

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ndaj qëndrimeve të zëvendëskryeministrit të parë, Bekim Sali, dhe kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, lidhur me qëndrimet e tyre kundërshtuese ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vuçiq ka kundërshtuar mënyrën se si ata e kanë komentuar aktgjykimin.

“Unë mendova se ishin kriminelë, të paktën të dënuar në shkallë të parë. Jo, ata qenkan të gjithë çlirimtarë, heronj dhe trima.”, ka ironizuar Vuçiq, sipas të cilit, serbët në çdo komunikatë, në çdo deklaratë duhet të jenë kriminelë.

LSDM kundërshton reagimin e Gashit

Edhe LSDM-ja opozitare ka kritikuar reagimin e kryeparlamentarit Afrim Gashi lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e UÇK-së. Sipas LSDM-së, vendimet e gjykatave ndërkombëtare duhet të respektohen.

“LSDM-ja nuk ndërhyn në punën e gjykatës. Nuk hartojmë aktgjykim sipas koalicionit, kombit apo interesit momental. Nëse gjykata ka marrë vendim se dikush është fajtor, atëherë kjo duhet të pranohet, derisa një gjykatë më e lartë të thotë ndryshe. Atje Prokuroria nuk punon në telefon. Prandaj, luftojmë për Bashkimin Evropian. Ligji duhet të vlejë për të gjithë. Haga gjykoi edhe kur në bankën e të akuzuarve ishte Ratko Mlladiqi. Atëherë thamë: aktgjykimi duhet të respektohet. Edhe tani e njëjta gjë. Ligji nuk zgjidhet sipas kombit. Në këtë drejtim, reagimet e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, janë jashtëzakonisht të papërshtatshme. Ai ushtron funksion shtetëror, është kryetar i Kuvendit dhe përfaqësues i një shteti që dëshiron të jetë pjesë e BE-së. Nuk mund të ketë standarde të dyfishta. Ky nuk është aktgjykim kundër popullit shqiptar. Nuk është aktgjykim kundër së drejtës së Kosovës për liri. Gjykata gjykon individë. Kush sot e shndërron aktgjykimin në mësim etnik, bën të njëjtin gabim si ai që e fsheh krimin pas ndonjë flamuri.”, theksojnë nga LSDM.

Gashi: Ata janë dhe mbeten çlirimtarë të Kosovës

Në reagimin që e kundërshton LSDM-ja opozitare, kryeparlamentari Gashi thekson se asnjë verdikt nuk mund ta mohojë faktin se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi i përkasin një kapitulli të lavdishëm të historisë së Kosovës.

“Në kohën kur liria e Kosovës dhe paqja e stabiliteti i rajonit ishin ende një ideal për të cilin duhej luftuar, ata patën guxim të angazhohen dhe ta marrin mbi vete përgjegjësinë historike për ta sjellë lirinë te populli i tyre. Për popullin shqiptar, ata janë dhe mbeten çlirimtarë të Kosovës. Lufta e UÇK-së, sakrifica dhe vetëmohimi i atyre që e udhëhoqën dhe ishin pjesë e saj janë vetë rruga që çoi në lirinë e Kosovës dhe në një epokë të re paqeje e stabiliteti në rajon.”, ka theksuar kryeparlamentari Gashi.

Reagim pas vendimit dënues në Hagë për katërshen e UÇK-së ka pasur edhe nga numri dy i Qeverisë, Bekim Sali, i cili, mes tjerash, ka theksuar se Liria e një populli nuk mund të jetë subjekt i asnjë gjyqi. Deputeti Sali Murati ka deklaruar se Fronti Evropian me keqardhje e ka pranuar vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.

“Jemi të shqetësuar, se ky vendim gjyqësor mund të perceptohet si hije në luftën për liri të popullit të Kosovës. Dëshirojmë ta kujtojmë opinionin se bëhet fjalë për vendim të shkallës së parë, ata ende janë njerëz të pafajshëm, procedura është në rrjedhë e sipër dhe vendimi gjyqësor nuk është i plotfuqishëm. Besojmë se pretendimet në aktvendim do të rishqyrtohen edhe njëherë në emër të drejtësisë, proporcionalitetit dhe fakteve historike.”, - u shpreh deputeti i Frontit Evropian, Sali Murati.

Ndërsa mospajtim me vendimin dënues për katër krerët e UÇK-së kanë shprehur edhe krerët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, ai i BDI-së, Ali Ahmeti, si dhe krerët e partive tjera shqiptare në Maqedoninë e Veriut. (Gyltene Sinani, TVM2)