PDK: Të reagojmë në përputhje me interesat shtetërore
Pas vendimit dënues me 81 vite heqje lirie...

Pas vendimit dënues me 81 vite heqje lirie për katër ish-krerët e UÇK-së, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, thotë se partitë dhe institucionet e Kosovës duhet të reagojnë në përputhje me interesat shtetërore. Në këtë kontekst, ai paralajmëron edhe mundësinë e takimit me liderët e partive politike.
Hamza tha se partia e tij i ka të gatshëm 22 nënshkrimet e deputetëve të PDK-së, që Kuvendi i Kosovës të thërrasë seancë për të diskutuar rrethanat e krijuara.
“PDK-ja dhe unë si kryetar, do t’i bëjmë të gjitha përpjekjet e nevojshme që të jemi në komunikim, për shkak të ndjeshmërisë së situatës, seriozitetit, situatës ku ndodhet vendi, sepse kjo situatë jep një mundësi që në të ardhmen, shteti agresor që ka qenë në Kosovë, Serbia, ta përdorë për dëmtimin e Kosovës. Unë besoj se do të takohem me të gjithë liderët e subjekteve politike, sepse kjo nuk është më çështje që i takon vetëm një subjekti politik. Ata të dënuar që ende janë të pafajshëm, sepse ka edhe shkallë tjera të procesit gjyqësor, nuk kanë shkuar si anëtarë të ndonjë subjekti politik, por si ushtarë të UÇK-së. Besoj, në bashkëpunimin mes partive politike dhe në arritjen e konsensusit të nevojshëm dhe si PDK, do të dalim me veprime konkrete, duke i përfshirë edhe ato ligjore dhe demokratike. Nuk po flasim për zhbërjen e Gjykatës Speciale, po flasim për përshtatje në një situatë të re.”, - deklaroi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
OVL-UÇK: Të premten protesta në mbështetje të çlirimtarëve
Ndërkohë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke vlerësuar se në Hagë u dënua lufta çlirimtare, ka paralajmëruar protestë gjithëpopullore për të premten në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Ata njëherësh paralajmërojnë krijimin e një këshilli koordinues kombëtar, që do të përfshinte edhe përfaqësues nga Shqipëria dhe viset tjera shqiptare.
“Kësaj padrejtësie që iu bë drejtuesve të luftës së UÇK-së do t’i përgjigjemi me një iniciativë për krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe të një platforme, ku do të përfshihen edhe Shqipëria, por edhe shqiptarët e tjerë që jetojnë në viset e tjera, qoftë Mali i Zi, qoftë Lugina e Preshevës, por edhe nga mërgata jonë. Po ashtu do të kërkojmë krijimin e një strategjie kundërshtuese ndaj këtij vendimi deri në përfundim të procesit të apelit, ku kërkojmë përfshirjen e institucioneve tona, partive parlamentare, shoqërisë civile, institucioneve të tjera, të cilat do të mund të kontribuonin në këtë drejtim.”, - theksoi Gazmend Syla nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Ndërkohë pas protestave të ditës së djeshme, protestat kanë vazhduar edhe sot. Një grup studentësh kanë marshuar në qendër të Prishtinës, duke mbajtur flamuj dhe pankarta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. (Gyltene Sinani, TVM2)
