Maqedoni

Vazhdon gjykimi për “Lotarinë Shtetërore”, Përparim Bajrami në bankën e të akuzuarve

18.09.2026 09:09

Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot duhet të vazhdojë gjykimi për rastin “Lotaria Shtetërore”...

Në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit duhet të vazhdojë gjykimi për “Lotarinë Shtetërore”, pasi javën e kaluar organeve hetuese në vend iu dorëzua i akuzuari kryesor, Përparim Bajrami, ish-drejtor i “Lotarisë Shtetërore”.

Pasi iku nga vendi, për Bajramin u shpall kërkesë ndërkombëtare. Më 9 shtator ai u dorëzua vetë në pikën kufitare “Bllacë”, pas së cilës u dërgua në burgun e Shkupit për të vuajtur masën e paraburgimit të caktuar më parë, përcjell Pa Censurë.
 
Përveç Bajramit, në rast janë të akuzuar edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, Metodija Dimevski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu.
 
Në gjykimin që filloi javën e kaluar, të gjithë të akuzuarit u deklaruan se nuk ndihen fajtorë, me përjashtim të Bajramit, i cili në seancën e parë ishte ende i padisponueshëm për organet e ndjekjes, dhe të akuzuarit Bashkim Avdiu, i cili deklaroi se nuk e kupton akuzën që i ngarkohet dhe kërkoi që ajo t’i dërgohet me shkrim në gjuhën e tij amtare, shqip.