Rajon

Kosovë, në mesditë protestë gjithëpopullore

18.09.2026 11:40

Në Kosovë, por jo vetëm atje, vazhdon revolta dhe kundërshtimi i fortë i shqiptarëve pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së....

Në Kosovë, por jo vetëm atje, vazhdon revolta dhe kundërshtimi i fortë i shqiptarëve pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
 
Organizatat e dala nga lufta kanë thirrur protestë gjithëpopullore sot në orën 12:00, në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë. Prandaj, Gazmend Syla tha se vendimi, sipas tyre, është i padrejtë dhe se lufta e UÇK-së nuk mund të barazohet me krimet e kryera gjatë luftës.
 
“UÇK-ja nuk ishte kurrë ndërmarrje kriminale, ishte rezistenca në kuptimin tonë përballë dëbimit, masakrave dhe e vetmja përgjigje e një kombi që ishte dënuar me zhdukje.”, tha Syla.
 
Organizatat e dala nga lufta kanë paralajmëruar edhe krijimin e një Këshilli Koordinues Kombëtar dhe një platforme ku do të përfshihen institucionet, partitë parlamentare, shoqëria civile, shqiptarët nga rajoni dhe diaspora. Ata kanë paralajmëruar gjithashtu një strategji kundërshtuese ndaj vendimit gjatë procesit të apelit.
 
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme operacionale për protestën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila pritet të mbahet sot në orën 12:00 në sheshet e Prishtinës. Policia tha se do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve, duke theksuar se e njeh të drejtën e qytetarëve për protesta të qeta dhe demokratike në përputhje me ligjin.
 
Gjykata Speciale ka dënuar Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim për krime lufte. Vendimi mund të apelohet.