Botë

Të shtëna në një shkollë në Filipine, tre të vdekur dhe tetë të plagosur

18.09.2026 13:18

Tre persona kanë humbur jetën dhe tetë të tjerë janë plagosur pas të shtënave me armë në një shkollë të mesme në Banga...

Tre persona kanë humbur jetën dhe tetë të tjerë janë plagosur pas të shtënave me armë në një shkollë të mesme në Banga, në provincën Cotabato të Jugut, në Filipinet jugore.
 
Ngjarja ndodhi të premten pasdite në Shkollën e Mesme Kombëtare Banga. Sipas kryebashkiakut të Bangës, Albert Palencia, dy prej viktimave ishin nxënës 14-vjeçarë, ndërsa personi i dyshuar për të shtënat ishte 16 vjeç dhe ndodhet gjithashtu mes viktimave.
 
Katër prej të plagosurve raportohet se janë në gjendje kritike.
 
Sipas kryebashkiakut, 16-vjeçari kishte paralajmëruar disa miq gjatë drekës se pas pushimit do të zbatonte një plan, por ata nuk e kishin marrë seriozisht, pasi e njihnin si një person që bënte shpesh shaka.
 
Pas drekës, ai hapi zjarr ndaj nxënësve dhe më pas i dha fund jetës. Pas incidentit, mësimi u pezullua në të gjitha nivelet në komunën e Bangës.
 
Kryqi i Kuq i Filipineve bëri me dije se ishte njoftuar për ngjarjen rreth orës 14:00 dhe dërgoi në vendngjarje një ambulancë me katër ndihmës mjekësorë.
 
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe motivin e të shtënave.
 
Kjo është ngjarja e tretë me të shtëna vdekjeprurëse në një shkollë në Filipine që nga qershori. Në qershor, tre nxënës u vranë në një shkollë në Filipinet qendrore, ndërsa në gusht një nxënës qëlloi për vdekje një bashkëmoshatar.