Ekonomi
Ministri Neziri në Bullgari, diskutohet ekonomia dhe situata politike
19.06.2015 15:01
Zhvillimi i këmbimit tregtar mes dy vendeve, Maqedonisë dhe Bullgarisë, dhe shtyrja në funksion e komunitetit ekonomik...

Zhvillimi i këmbimit tregtar mes dy vendeve, Maqedonisë dhe Bullgarisë, dhe shtyrja në funksion e komunitetit ekonomik, i cili do të kontribuojë në ngritjen e zhvillimit ekonomik të të dy vendeve, ishin temat që u diskutuan në takimin tet a tet të ministrit të Ekonomisë, Bekim Nezirit, dhe homologut të tij bullgar, Bozhidar Lukarskit, të cilin Neziri e realizoi gjatë vizitës së tij zyrtare në Sofje.
"Vlerësimet pozitive në suaza të rradhitjes ndërkombëtare janë dëshmi më shumë se Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka vizion të qartë për zhvillim, i cili është i bazuar në rritjen ekonomike përmes rritjes së konkurrencës, si rezultat i përmirësimit të klimës së biznesit, zhvillimit të infrastrukturës dhe të kapitalit njerëzor, si bazë për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve”- tha ministri Neziri.
“Oda bullgaro- maqedonase për momentin funksionon mirë, por vetëm në pjesën e turizmit. Duhet ta nxisim Odën dhe kompanitë për zhvillim më të madh dhe bashkëpunim që pastaj duhet të pasqyrohet në ekonominë në përgjithësi. Pikërisht përmes forumeve afariste dhe takimeve duhet të ndihmojmë zhvillimin edhe në atë pjesë”- tha Bozhidar Lukarski” - ministri i Ekonomisë së Bullgarisë.
Në këtë takim po ashtu u bisedua për situatën aktuale të Maqedonisë.
Lukarski shprehu shqetësime për situatën aktuale politike të Maqedonisë, ai kërkoi nga ministri Neziri të informojë për situatën aktuale, duke shpresuar në zgjidhje më të shpejtë të krizës.
Ministri Neziri në takimin e ministrave të ekonomisë së vendeve të Evropës Juglindore, vlerësoi se bashkëpunimi rajonal është parakusht i domosdoshëm për stabilitetin e të gjithë rajonit.
"Republika e Maqedonisë si pjesë e rajonit të Evropës Juglindore fuqishëm është e interesuar për prosperitetin ekonomik të vendeve nga rajoni dhe bashkëpunimi më i madh i ndërsjellë, si parakusht thelbësor për stabilitetin afatgjatë dhe të ardhmen e përbashkët në procesin eurointegrues"- theksoi Neziri.
Pjesëmarrësit vlerësuan se për rritje të zhvillimit ekonomik nevojitet rritje e bashkëpunimit në mes vendeve të rajonit, si dhe hapje e tregjeve rajonale.
ERSAN PAJAZITI
