Botë

Rusi – Ukrainë, zgjedhje në Rusi, lufta vazhdon në Ukrainë

18.09.2026 14:58

Lufta në Ukrainë po vazhdon me intensitet të paprerë...

Lufta në Ukrainë po vazhdon me intensitet të paprerë. Së fundmi forcat ruse kryen një sulm me dron mbi një qendër tregtare në Zaporizhia. Në ndërtesë shpërtheu një zjarr i madh dhe u lëndua një person. Flakët përfshinë një sipërfaqe prej 10.000 metrash katrorë. Në momentin e sulmit rus, në parkun pranë qendrës tregtare kishte edhe fëmijë. Pasi dëgjuan shpërthimin, ata arritën të strehoheshin më thellë në park.
 
Ndërkohë, në Rusi ka filluar votimi treditor për zgjedhjet parlamentare. Fletëvotimet e para u plotësuan në Lindjen e Largët ruse. Partia kryesore e Kremlinit, "Rusia e Bashkuar", është e gatshme të ruajë kontrollin mbi dhomën e ulët, së bashku me disa parti të tjera të lidhura me presidentin nga e ashtuquajtura opozitë sistemike. Një pjesëmarrje e lartë pritet gjatë fundjavës, ndërsa 111 milionë votues me të drejtë vote kanë gjithashtu opsionin e votimit elektronik.
 
“Mbi të gjitha, kjo është një detyrë qytetare, një zgjedhje e bërë nga individi për Rusinë tonë të dashur e të mrekullueshme.”, - tha një banor i Rusisë. 
 
“Nëse keni të drejtë zgjedhjeje, natyrisht që duhet ta shfrytëzoni atë.”, - tha një banor tjetër i Rusisë.
 
“Meqenëse jemi në Lindjen e Largët, tradicionalisht jemi ndër të parët në vendin tonë të madh që votojmë. Prandaj, vërtet duhet të vini, të përmbushni detyrën tuaj dhe më pas të shijoni pjesën tjetër të fundjavës me paqe në shpirt.”, - u shpreh një banor i Rusisë. 
 
Përveç zgjedhjeve parlamentare, të cilat praktikisht nuk kanë opozitë, po zgjidhen edhe guvernatorët në 11 rajone, si dhe po votohet në territorin e aneksuar ukrainas. Autoritetet ukrainase e vlerësuan votimin në ato territore si të paligjshëm dhe iu bënë thirrje qeverive të huaja e organizatave ndërkombëtare që të mos i njohin zgjedhjet. Sipas presidentit rus, Putin, zgjedhjet janë një test për mbështetjen e operacionit ushtarak në Ukrainë.
 
ERSAN PAJAZITI